Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e ka mirëpritur aktgjykimin e Apelit në Dhomat e Specializuara në rastin kundër Salih Mustafës.
Të enjten Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara ka ulur dënimin e Mustafës nga 26 vjet burgim në 22 vjet burgim.
“Mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili, me gjithë ndryshimin e vogël të dënimit të Z. Mustafa, përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre”, tha West.
Në vendimin e shkallës së parë më 16 dhjetorit 2022, Mustafa u shpall fajtor për krime lufte – ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje – dhe u dënua me 26 vjet burgim. Ai e apeloi vendimin, ndërsa Gjykata e Apelit, të enjten mori vendim që t’ia ulë dënimin nga 26 vjet në 22 vjet burgim.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte kritike në këtë çështje gjyqësore dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit”, tha West.