Arbëri

Baraliu: Kosova ka humbur energji dhe s’ka përfituar asgjë nga dialogu

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se Kosova ka humbur energji dhe nuk ka përfituar asgjë nga dialogu me Serbinë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Baraliu ka thënë se qeveritë e Kosovës, përfshirë edhe atë aktuale, po rezistojnë deri në një pikë kur po lëshojnë pe pa marrë asnjë shpërblim.

“Qeveritë tona, edhe kjo e fundit që është në funksion, po rezistojnë, por në fund po lëshojnë pe, duke mos pasur asnjë shpërblim. Jemi në një situatë ku dialogu kështu si është nuk është mirë konsideroj unë që të vazhdohet. Kosova ka humbur energji dhe nuk kemi përfituar asgjë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Kosova ka bërë gjithçka kërkuar bashkësia ndërkombëtare, kërkesat e së cilës sipas tij, kanë qenë të njëjta me të Serbisë, dhe nuk ka fituar asgjë në këmbim, për çka Baraliu ka konsideruar se është fyese për qytetarët kosovarë.

“Të bësh çdo gjë që kërkon bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia bashkërisht në një binar të kërkesave dhe të mos fitosh asgjë si kundërshpërblim për një veprim të tillë konstruktiv në zbatimin e politikave perëndimore evropiane, kjo është diçka jo vetëm jokonsistente por edhe fyese për qytetarët”, është shprehur ai.

Sipas njohësit të çështjeve juridike, është shqetësuese dhe trishtuese heshtja e institucioneve dhe opozitës për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Heshtja e partive opozitare, heshtja e Qeverisë, heshtja e opinionit publik, e mediave, në tërësi kjo heshtje të trishton dhe shqetëson. Të heshtësh kështu flet shumë, diku nga jashtë apo nga brenda është i përgatitur terreni të mos bëhet fare bujë dhe debat publik dhe politik për këtë”, ka theksuar ai.

Baraliu ka vlerësuar se qasja e Bashkimit Evropian në relacion me problemet e Ballkanit, sidomos në çështjen e Kosovës dhe Serbisë në dialog nuk është serioze.