Ish-deputeti Haxhi Shala është dërguar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Këtë e ka bërë të ditur për KOHËN, avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.
“Para një ore është nisur me aeroplan për në Hagë”, ka thënë shkurt Smakiqi duke shtuar se ka folur edhe me familjarët e Shalës.
Smakiqi për marrjen e Shalës gjatë të hënës ka thënë se “konsideroj që nuk është intervistuar, thjesht është ndaluar, përndryshe do të më kontaktonte si avokat”.
Djali i Haxhi Shalës: Jemi të bindur për pafajësinë e tij
Për dërgimin e Shalës në Hagë ka shkruar edhe djali i tij Flakroni. Ai ka thënë se për transferimin e tij në Hagë janë njoftuar të martën.
“Sot kemi marrë informacione për transferimin e tij në Hagë me urdhër të prokurorit, e ne si familje ende nuk kemi informacion për arrestimin apo ndalimin, e as arsyet se pse ai po transferohet në Hagë. Ne jemi të bindur për pafajësinë e tij dhe të të gjithë çlirimtarëve që janë në atë gjykatë, sepse kjo gjykatë është e njëanshme sepse gjykon çlirimtarët që mbrojtën vendin dhe të drejtat e tyre për liri”, ka shkruar ai në Facebook.
Shala u arrestua dhe u dërgua në zyrat e EULEX-it të hënën.
Vëllai i tij, një ditë më parë ka bërë të ditur se Shala dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, porse nuk ka informacion zyrtar nga Specialja lidhur me këtë.