Arbëri

Vdiq avokati i Veselit, Andrew Strong

Ka vdekur të hënën Andrew Strong, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Lajmin për vdekjen e Strongut e ka bërë të ditur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Strong kishte qenë pjesë edhe e ekipit të mbrojtjes së Haradinajt gjatë kohës sa po gjykohej në Hagë.

“I pikëlluar nga vdekja e parakohshme e avokatit Andreë Strong, një luftëtar i jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe një mik i çmuar i imi. Ai iu bashkangjit ekipit tim mbrojtës si student nga Chicago, për t’u bërë më vonë një ndër avokatët më të respektuar për pasionin e tij në mbrojtje të drejtësisë. Ngushëllime familjes dhe miqve! Trashëgimia jote do të kujtohet Andy. U prehsh ne paqe”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ndërkohë për vdekjen e Strongut ka shkruar edhe ish-këshilltari i Veselit, Avni Bytyçi.

“Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z. Kadri Veseli. Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njëriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën. Andrew Strong me plot meritë e meriton titullin avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte mbrojtur edhe z. Haradinaj në Hagë. Andrew ishte amerikan, por me zemër ishte shqiptar. Fliste bukur shqip dhe e donte fort Kosovën. Ai jetoi duke e mbrojtur historinë e luftës tonë çlirimtare. Me quante vëlla në shqip, e me trajtonte si të tillë. Do të na mungojë shumë të gjithëve që e njohëm dhe punuam me të. Ngushëllime gruas së tij Rachel, dhe tre fëmijëve që la pas. Faleminderit për të gjitha, vëlla!” – ka shkruar Bytyçi.