Arbëri

Te një pacient u ndërhy pa anesteziolog, në QKUK arsyetohen se pati urgjencë

Numri i pamjaftueshëm i anesteziologëve në QKUK po dëshmohet nga dita në ditë. Në Klinikën e Urologjisë, te një pacient është intervenuar pa praninë e anesteziologut. Në arsyetimin nga Klinika, thonë se pati urgjencë dhe se anesteziologu duhej të ishte në një sallë tjetër operimi

Brenda 30 ditësh në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dy pacientë dyshohet që kanë pësuar si pasojë e mungesës së anesteziologëve.

Familje të pacientëve dhe punëtorë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i kanë thënë KOHËS se një pacienti i është kryer ndërhyrja pa anesteziolog.

Të afërm të këtij pacienti kanë rrëfyer ngjarjen e 28 tetorit.

"Pacienti me infeksion në këmbë është shtruar në spital, meqë trajtimet e tjera nuk i kanë ndihmuar. Ka pritur tërë ditën për operim duke i thënë që kur të përfundohen operimet e caktuara do të operojmë, dhe kur janë përfunduar operimet i kanë thënë që nuk mundemi me të operu, sepse anesteziologu ka shkuar në një operim urgjent dhe nuk kemi anesteziolog. I kanë thënë vetëm nëse dëshiron pa anestezion të operohesh. Ai duke e parë që ënjtja e këmbës kishte filluar t’i përhapej e me dhimbje të padurueshme ka hyrë në operacion. Kush ka qenë aty i ka dëgjuar britmat e tmerrshme deri në përfundim të operimit", kanë rrëfyer ata. 

Ky pacient, siç kanë konfirmuar disa burime, ishte i prekur me Gangrena Fournier, infeksion me progresion të shpejtë. Vlerësohet urgjencë mjekësore pasi mund të jetë fatale.

Në Urologji kanë konfirmuar ndërhyrjen te pacienti pa anesteziolog. Kanë thënë se i është dhënë anestezion lokal e mungesën e anesteziologut e kanë arsyetuar me një urgjencë në të njëjtën kohë në një klinikë tjetër.

"Atë ditë, në kohën kur është planifikuar rasti të hynte në sallë, ka ardhur një rast urgjent për sallë-aneurizmë e aortës dhe anesteziologu ka hyrë në sallë me rastin urgjent, pasi që pacientit me aneurizmë aorte iu ka rrezikuar direkt jeta. Ky operacion i aneurizmës së aortës zgjat shumë, me orë të tëra. Atëherë, për të mos iu përkeqësuar gjendja shëndetësore pacientit në fjalë, mjekët kujdestarë kanë kryer intervenimin me anestezion lokal dhe pacienti gjatë këtij intervenimi ka kaluar mirë. Pacienti pas operimit ka qenë mirë dhe pas 1 jave është lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore. Raste të tilla kur janë në stadin fillestar të sëmundjes mund të kryhen edhe me anestezion lokal", ka thënë drejtori i Klinikës së Urologjisë, Petrit Nura. 

Pacientit i është shpëtuar jeta, por Klinika e Anesteziologjisë nuk ka kthyer përgjigje nëse të gjithë anesteziologët kujdestarë atë ditë në atë kohë ishin në sallat operative.

Sistemi publik shëndetësor ka më së paku anesteziologë për kokë banori krahasuar me vendet e rajonit.