Arbëri

Avokati i njërit prej të dyshuarve për grabitjen në Suharekë: Prokuroria s’dha asnjë provë konkrete

Asdren Bytyqi, avokat i njërit prej të dyshuarve për grabitjen në Suharekë, ka thënë se Prokuroria nuk ka dhënë asnjë provë konkrete për përfshirjen e klientit të tij në këtë rast. 

Këto deklarime, Bytyqi i ka dhënë gjatë seancës për caktimin e masës së paraburgimit të premten në Gjykatën e Prizrenit, duke thënë se klienti i tij ka deklaruar se Prokuroria më shumë ka marrë parasysh opinionet e njerëzve sesa ka ndonjë provë konkrete.

“Në realitet, Prokuroria nuk ofroj prova konkrete që e vërtetojnë inkriminimin e të dyshuarve. Të gjithë të pandehurit dhanë alibitë e tyre ku kanë qëndruar në kohën kur ka ndodhur grabitja, përfshirë mbrojtësin tim. Klienti im ka deklaruar nuk është pjesëmarrës në këtë ngjarje mjaft të rëndë dhe ka thënë se kjo i është bërë nga analistët në studio që kanë përmendur emrin e tij. Konsideron se Prokuroria ka marrë parasysh opinionet e njerëzve sesa që ka ndonjë provë konkrete”, ka thënë Bytyqi, duke shtuar se nuk janë pajisur me asnjë provë tjetër, përveç masës për caktimin e paraburgimit, që siç thotë avokati, nuk ka të shtjelluara detaje që vërtetojnë inkriminimin e të dyshuarve.

Avokati Bytyqi ka thënë se të gjithë të dyshuarit kanë thënë se nuk do të qëndronin në shtëpi dhe të pritnin arrestimin nëse do të ishin pjesëmarrës në grabitje.

Vendimi për caktimin e paraburgimit pritet të merret pas pak.

Policia ka arrestuar shtatë persona, njëri prej tyre u lirua në mungesë provash, për grabitjen e një argjendarie të mërkurën e kaluar në Suharekë. Një nga të dyshuarit u vra gjatë operacionit për arrestimin e tij të enjten në Prishtinë. Një tjetër është në kërkim.