Arbëri

Trendafilova: E pikëlluar që Gjykata Speciale etiketohet si institucion i padrejtë

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se është e pikëlluar që Specialja etiketohet si institucion i padrejtë.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se njerëzit kanë të drejtë t’i kenë opinionet e tyre, porse sipas saj nuk ka ardhur në Kosovë për ta përmirësuar imazhin e Gjykatës.

Derisa është pyetur se pse kishte anuluar vizitën vitin e kaluar, Trendafilova e ka mohuar këtë.

Ka thënë se personat të cilët do të vinin në ngjarje bashkë me shoqërinë civile, kishin vendosur të mos vinin, duke pretenduar se ishin frikësuar.

“Në fakt, unë nuk e anulova vizitën vitin e kaluar. Erdha këtu dhe takova ministren e Drejtësisë. U takova me audiencën në Universitetin e Prishtinës, me studentë, që ishte një gjë e shkëlqyer dhe u kënaqa shumë duke folur me të rinjtë. Por, në fakt, ngjarja me shoqërinë civile ishte anuluar, një vendim ky që e pata vështirë ta kuptoja... Kjo ishte këshilla e Policisë së Kosovës dhe sigurimit tonë. Por, duhet t’ju them se pse u pajtova me vendimin e anulimit të ngjarjes është sepse unë njihem si një grua shumë kokëfortë, që do të thotë se nëse besoj në diçka se është e drejtë kurrë nuk dorëzohem. Por, mua më thanë se ata që kishin konfirmuar që do të vinin në atë ngjarje vendosën të mos vinin, të frikësuar për veten e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se nuk e di se kush janë ata persona.

“ Ndoshta janë frikësuar. Nuk e di. Nuk e di, por pse duhet unë në ndonjë mënyrë ta bëj çështje ndjenjën e sigurisë dhe mbrojtjes së atyre që donin të vinin e të përballeshin me mua. Mbase këta anëtarë të shoqërisë civile do të adresonin disa pyetje të vështira. Prandaj kështu e pranova që nuk do të takoheshim”, ka thënë ajo.