Papërgjegjësi institucionale e ka quajtur babai i Astrit Deharit zbardhjen e rrethanave të vdekjes së djalit të tij.
Avni Dehari në përvjetorin e 4-t të vdekjes së Astritit tha se drejtësia kosovare jo që nuk e tha fjalën e saj, por tentoi ta manipulojë rastin, raporton KOHA.
Në këtë përvjetor, familjarë dhe aktivistë të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe te varri i Deharit.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar edhe një herë zbardhjen e rastit të vdekjes së Deharit.
Ajo tha se në bazë të informacioneve që kanë, Instituti Zviceran është pajisur me prova dhe dëshmi të reja, dhe kështu do të vërtetohet edhe vrasja e Astrit Deharit.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, para katër vjetëve u gjet i pajetë në qelinë e paraburgimit në Prizren.
Nga autopsia vendore u tha se Dehari u vetëvra, por për shkak të dyshimeve familja kërkoi një ekspertizë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore të Zvicrës.
Nga hetimet e kryera nga ky institut u tha se aktivisti nuk ka bërë vetëvrasje, teksa ndodhej në Qendrën e paraburgimit në Prizren.