Arbëri

E shara pritet t’u kushtojë deputetëve 35 euro gjobë

Deputetët që ofendojnë, shajnë e nxisin dhunë në seancë të Kuvendit do t’iu nënshtrohen sanksioneve, të listuara në një kod të sjelljes i cili është duke u hartuar. Në draftin që ka siguruar KOHA, ndër sanksionet parashihet edhe heqja e 35 eurove nga paga bazë e deputetit, e cila është në shumë prej 1722 eurosh. Monitorues të punës së Kuvendit vlerësojnë se sanksionet e propozuara janë të ulëta

Sjelljet dhe gjuha joparlamentare së shpejti do të sanksionohen nga Kuvendi i Kosovës.

Grupe punuese që përfshijnë ligjvënës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e të shoqërisë civile, janë duke e hartuar Kodin e Sjelljes për deputetët, i cili për shkelësit do të parashohë sanksione.

Në një draft të cilin e ka siguruar KOHA, Kodi i Sjelljes parasheh masa ndëshkuese në pesë shkallë për deputetët që, mes të tjerash, pengojnë mbarëvajtjen e seancës, poshtërojnë njëri-tjetrin, nxisin urrejtje, dhunë, apo ngacmim seksual.

“Për shkelje të Kodit, deputetët do të marrin vërejtje me shkrim. Në rast të shkeljes së rëndë të përsëritur, deputetit do t’i shqiptohet vërejtje me shpallje publike në ueb faqen e Kuvendit dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme. Me tej parashihet kufizimi i pjesëmarrjes në delegacionet që udhëtojnë jashtë vendit, në një vizitë të vetme zyrtare. Shkalla e katërt përfshin suspendim nga punimet plenare për një seancë. Dhe, masa e fundit është sanksioni financiar që përfshin 2 për qind të pagës bazë”, thuhet në draftin e Kodit.

Bazuar në këtë draft, një deputeti që shkel Kodin e Sjelljes do t’i hiqen 34 euro e gjysmë prej pagës së tij 1722-euroshe.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës kërkon që masat ndëshkuese të jenë më të larta.

“Sanksionet janë të ulëta dhe ne si institut kemi kërkuar edhe gjatë diskutimit në grupin punues që këto sanksione të rriten për shkak që sanksionimi me 2 për qind të pagës bazë nuk paraqet ndonjë domethënie për deputetët. Është një risi pozitive që sanksionimet do të publikohen në webfaqen dhe ndoshta presioni publik do të jetë ai që do të ndikojë në rritjen e përgjegjshmërisë së deputetëve”, ka thënë Haxholli.

Sanksione financiare për deputetët parasheh edhe Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve.

Aty thuhet se nëse deputeti nuk merr pjesë në punimet e seancës plenare ose të organeve ndihmëse të Kuvendit, ku ai është anëtar, paga bazë dhe kompensimi shtesë reduktohen. Por kjo formë e sanksionit nuk është duke u aplikuar.

Si rrjedhojë, mungesa e kuorumit është një nga problemet kryesore të Kuvendit, për çka Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën, i publikuar javën e shkuar dha kritika për mungesën e pajustifikuar të deputetëve dhe kërkoi sanksione financiare për ta.

Por Haxholli thotë se Kodi i Sjelljes duhet të gjejë patjetër zbatim në mënyrë që të ketë efekt.

“Duhet pasur kujdes që kur të adoptohet Kodi i Etikës, të zbatohet me përpikëri. Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm duhet ta luajnë kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit”, ka thënë Haxholli.

Për zbatimin e Kodit dhe shqiptimin e masave për shkeljen e tij parashihet të formohet një komision i veçantë parlamentar për etikë.

Komisioni ka kohë 15 ditë që të marrë vendim meritor për rastin, prej ditës së inicimit.