“Gjatë operacionit të sulmit në Banjskë, koordinimi ndërmjet KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës ishte shumë i mirë. Kjo është rruga që duhet ndjekur: duke u koordinuar sa më mirë me KFOR-in dhe EULEX-in, institucionet e sigurisë të Kosovës do të jenë më efektive në garantimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”, ka thënë ambasadori i Francës, Olivier Guérot, i cili ka shtruar nevojën që Kosova dhe Serbia me urgjencë t’i zbatojnë marrëveshjet. “Trazirat në Banjskë apo ato të majit të kaluar tregojnë se koha ka një kosto, ndonjëherë edhe dramatike”
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë të premten se koordinimi ndërmjet KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës gjatë operacionit të sulmit në Banjskë, është rruga që duhet ndjekur Prishtina zyrtare. Sipas tij, duke u koordinuar sa më mirë, institucionet e sigurisë së Kosovës do të jenë më efektive në garantimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.
Në një intervistë të shkruar për KOHËN, ambasadori Guérot ka sjellë në kujtesë armëpushimin mes Francës dhe Gjermanisë që i ka dhënë fund Luftës së Parë Botërore, përvjetori i së cilës ngjarje është të shtunën. Ka thënë se ai është një nga mësimet që mund të nxirret edhe në konfliktet e tashme.
Ambasadori francez ka theksuar se nuk ka alternativë ndaj dialogut dhe se iniciativat e njëanshme janë të destinuara të dështojnë.
“Sulmi i Banjskës ishte një alarm që ne e marrim shumë seriozisht dhe të cilin e dënuam pa hezitim. Autorët e këtyre sulmeve duhet të dalin para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimin e tyre që çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku”, ka thënë Guérot. “Heroizmi i sulmuesve të vrarë në Banjskë vetëm sa shton rrezikun e rrëshqitjes”.
E tek ka folur për dinamikën e re në dialog, ambasadori ka theksuar se draftstatuti i propozuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është një mënyrë inovative për t’iu qasur çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së minoriteteve, në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet evropiane.
“Tani jemi duke pritur nga Kosova që menjëherë të nisë procedurën për krijimin e AKS-së. Serbia duhet në të njëjtën kohë të përmbushë detyrimet e veta”, ka thënë ambasadori Guérot. “Draftstatuti i prezantuar nga Bashkimi Evropian parasheh që ky të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo siguron një garanci shtesë për Kosovën”.
Në këtë intervistë, ambasadori Guérot ka folur edhe për pasojat në rast të mungesës së rezultateve në zbatimin e marrëveshjeve. Po kështu ka komentuar deklaratën për vizat të presidentit Macron, dhe nuk ka folur me shumë siguri, kur është pyetur nëse kosovarët mund të lëvizin lirshëm për në Francë nga data 1 janar.
KOHA: Z. ambasador, tani është përvjetori i armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Çfarë mësimi përbën kjo ngjarje, tash kur ka ikur më shumë se një shekull nga ajo?
Guérot: 1 Nëntori është një ditë përkujtimi. Përkujtim jo vetëm i ushtarëve të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, por edhe i të gjithë ushtarëve që vdiqën duke shërbyer për Francën. 18 ushtarë francezë kanë humbur jetën gjatë shërbimit në KFOR. 11 Nëntori është ditë për t’i kujtuar ata dhe për të theksuar rolin vendimtar të KFOR-it në mbrojtjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Në ceremoninë që po e organizojmë në varrezat e “Dragodanit” së bashku me Ambasadën gjermane do të jetë prezent edhe komandanti i KFOR-it, sepse këtë ceremoni po e organizojmë bashkë me miqtë tanë gjermanë. Ky është një nga mësimet që mund të nxjerrim nga këto konflikte: pas dekadash luftimesh, ndër më vdekjeprurësit në histori, Franca dhe Gjermania kanë arritur të pajtohen. Këtë nuk e them me arrogancë për të dhënë leksione, por përkundrazi, po e them me përulësi, sepse nëse ne kemi arritur ta bëjmë këtë, pse nuk munden vendet e tjera, popujt e tjerë, që janë në konflikt? Pajtimi është i mundur. Asnjëherë nuk është i lehtë, por është gjithmonë i mundur.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, bashkësia ndërkombëtare u përpoq që mos të përsëriteshin sulmet kundër civilëve që kishin shënuar atë konflikt. Ky mësim po shkelet nga Rusia në luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës. Prandaj ne do të ftojmë gazetarët ukrainas, të cilët Kosova i mirëpriti bujarisht, të marrin pjesë në përkujtimin tonë. Nuk mund të flasim për dhunë kundër civilëve pa pasur në mendje situatën në Izrael dhe Gaza.
Barbarizmi terrorist i Hamasit që ka goditur Izraelin ka shënjestruar kryesisht civilët. Ai la 1400 të vdekur, përfshirë 40 francezë. Nëntë bashkatdhetarë tanë, mes tyre edhe disa të mitur, janë ende të zhdukur. Izraeli duhet të mbrojë popullsinë e tij dhe palestinezët nuk duhet të sakrifikohen në luftën kundër këtij grupi terrorist. Përballë katastrofës humanitare në Gaza, ne themi dy gjëra: së pari, një armëpushim humanitar është absolutisht i nevojshëm. Së dyti, ndihma humanitare nuk është në nivelin e duhur. Kjo është arsyeja pse Franca ka organizuar më 9 nëntor në Paris një konferencë ndërkombëtare humanitare për popullsinë civile të Gazës.
Kjo konferencë u mbajt pak para Forumit të Paqes në Paris, i cili mbledh për të gjashtën herë krerët e shteteve dhe qeverive, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, për të biseduar së bashku çështje afatgjata që të mos shndërrohet në burime të konflikteve të reja në të ardhmen.
KOHA: Sa i ekspozuar është rajoni, e veçmas shteti i Kosovës, nga një luftë e re? Dhe, a ka shqetësime për sigurinë, pas sulmit në Banjskë?
Guérot: Në këtë kontekst, të karakterizuar nga krizat e shumëfishta në Evropë, por edhe në Lindjen e Mesme, ne jemi veçanërisht të vëmendshëm ndaj situatës në Ballkan. Franca, Gjermania dhe Italia mbështesin plotësisht përpjekjet e Bashkimit Evropian për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi. Nuk ka alternativë ndaj dialogut; iniciativat e njëanshme nuk mund veçse të dështojnë. Sulmi i Banjskës ishte një alarm që ne e marrim shumë seriozisht dhe të cilin e dënuam pa hezitim. Autorët e këtyre sulmeve duhet të dalin para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimin e tyre që çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Po e marrim me seriozitetin më të madh çështjen e sigurisë së Kosovës. KFOR-i ka përforcuar efektivet e veta, si dhe aktivitetin e tij.
KOHA: Kosova nuk e ka ushtrinë e saj në kufi, përfshirë as në atë me Serbinë, e pikërisht ky kufi mbetet poroz dhe lehtë i kalueshëm për grupe të armatosura. Çfarë garancish jep faktori ndërkombëtar, e posaçërisht Franca, për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, prej çfarëdo agresioni të mundshëm?
Guérot: Prezenca e KFOR-it është një garanci që askush nuk do të duhej të kërkonte të vihet në dyshim. Ajo është plotësisht kredibile. Gjatë operacionit të sulmit në Banjskë, koordinimi ndërmjet KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës ishte shumë i mirë. Kjo është rruga që duhet ndjekur: duke u koordinuar sa më mirë me KFOR-in dhe EULEX-in, institucionet e sigurisë të Kosovës do të jenë më efektive në garantimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.
KOHA: Serbia nuk ka ndërmarrë veprime për t’i vënë para drejtësisë pjesëmarrësit e grupit të armatosur, përgjegjës për sulmin në Banjskë? Qeveria e Serbisë ka shpallur ditë zie për pjesëtarët e grupit të armatosur që u vranë gjatë sulmit, e presidenti serb i portretizoi pjesëtarët e grupit si patriotë. Pse mungon trysnia ndërkombëtare për t’i ekstraduar përgjegjësit për sulmin?
Guérot: Franca, sikurse Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare, denoncuan në mënyrë të qartë sulmin e papranueshëm të Banjskës dhe deklaruan se prisnin nga Serbia një dënim të qartë dhe pa ambiguitet, si dhe një bashkëpunim të plotë në hetimin e sulmit në Banjskë, për të cilin përgjegjësit duhej të ishin sjellë para drejtësisë. Heroizmi i sulmuesve të vrarë në Banjskë vetëm sa shton rrezikun e rrëshqitjes.
KOHA: Autoritetet e Kosovës kanë ekspozuar dëshmi, sipas të cilave autoritetet e Serbisë qëndrojnë prapa grupit që kreu sulmin në Banjskë? A duhet të ketë një hetim ndërkombëtar për ta zbardhur të vërtetën?
Guérot: Jemi në lidhje me të gjithë partnerët tanë, përfshirë Kosovën, për të pasur një pasqyrë sa më të saktë të asaj që ka ndodhur. Po e marrim këtë sulm shumë seriozisht.
KOHA: Pas sulmit në Banjskë janë intensifikuar përpjekjet ndërkombëtare për t’i bindur palët që të zbatojnë pa vonesa të mëtejme të Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit. Pse duhet pritur rezultate, kur presidenti serb vazhdon të deklarojë publikisht se nuk do ta pranojë njohjen de-facto të Kosovës (veprimet për njohje janë listuar në Marrëveshjen Bazë, dhe janë theksuar në deklaratën e fundit të presidentit Macron, kancelarit Scholz dhe kryeministres Meloni)?
Guérot: Deklarata e përbashkët e presidentit Macron, kancelarit Scholz dhe kryeministres Meloni theksoi qartë atë që pritej nga të dyja palët dhe këto pika i rimori presidentja e Komisionit, Ursula Van der Leyen.
Bashkimi Evropian ka propozuar, me mbështetjen tonë, një draftstatut për AKS-në, i cili është një mënyrë inovative për t’iu qasur çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së minoriteteve, në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet evropiane. Tani jemi duke pritur nga
Kosova që menjëherë të nisë procedurën për krijimin e AKS-së. Serbia duhet në të njëjtën kohë të përmbushë detyrimet e veta.
Është hapur tash një dritare mundësie për të ecur përpara dhe udhëheqësit e dy vendeve duhet të tregojnë përgjegjësi. Mungesa e progresit në dialog do të kishte pasoja për të dyja vendet.
KOHA: Sa të qëndrueshme i shihni brengat në Kosovë, për asimetri në procesin e dialogut, si në kuptim të marrjes në konsideratë të kushteve që kanë palët, po ashtu edhe shkaku i raporteve që më to ka ndërtuar BE-ja (ndaj Kosovës mbeten në fuqi masa, pasi u bë përgjegjëse për tensionet në veri, ndërkaq Serbia nuk është sanksionuar as pas sulmit në Banjskë dhe bazave ushtarake afër kufirit me Kosovën)?
Guérot: Ndiejmë keqardhje për akuzat për njëanshmëri kundër ndërmjetësimit evropian dhe i hedhim poshtë ato; ne e përsërisim mbështetjen tonë të plotë për përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin special, Miroslav Lajçak.
KOHA: Pse masat ndaj Kosovës mbeten në fuqi përkundër shtensionimit të situatës në veri (më nuk ka protesta dhe prej muajsh nuk ka pasur incidente)?
Guérot: Masat e marra në rastin e Kosovës janë masa të përkohshme dhe të kthyeshme, të cilat janë miratuar nga shtetet anëtare, pasi janë pajtuar të gjithë. Një numër i veprimeve të kërkuara në Kosovë janë zbatuar, por jo të gjitha. Është thelbësore që të merren masat e depërshkallëzimit që kemi kërkuar. BE-ja pret nga Kosova sikur edhe nga Serbia të tregojnë përgjegjësi për të ulur tensionet dhe për t’u riangazhuar me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, e vetmja mënyrë e mundshme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe për t’ua mundësuar atyre të përparojnë drejt Bashkimit Evropian.
KOHA: Pse me Planin franko-gjerman, që është kthyer në Marrëveshjen Bazë, u hoq dorë nga synimi që në afatshkurtër të arrihet marrëveshja përfundimtare ligjërisht obliguese, e po ashtu u pranua kushti i Serbisë që dokumenti të mos firmosej?
Guérot: Marrëveshja Bruksel-Ohër është ligjërisht e detyrueshme. Ajo përfaqëson një datë kyç të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë dhe zbatimi i plotë i saj mbetet e vetmja rrugë e mundshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
Neni 6 i marrëveshjes së miratuar nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt hap në mënyrë të qartë perspektivën e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky objektiv nuk është braktisur aspak, përkundrazi duhet të zbatohet si e gjithë marrëveshja. Franca do të vazhdojë të mbështesë ndërmjetësimin evropian me synimin e arritjes së një marrëveshjeje globale, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.
KOHA: Çfarë veprimesh prisni që t’i ndërmarrin palët në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë?
Guérot: Po zhvillohen bisedime falë lehtësimit evropian për atë se çfarë saktësisht pritet nga kush dhe në çfarë kohe. Kjo është ajo që quhet sekuencimi. Në këtë fazë i takon atij të vlerësojë se çka është e përshtatshme. Por në përgjithësi, deklarata e përbashkët e liderëve francezë, gjermanë dhe italianë është e qartë.
KOHA: Pasi Kosova ka pranuar si dokument bazë për diskutim draftin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kur prisni që ky mekanizëm të themelohet?
Guérot: Shpresojmë që do të ketë përparim të shpejtë. Është humbur shumë kohë. Trazirat në Banjskë apo ato të majit të kaluar tregojnë se koha ka një kosto, ndonjëherë edhe dramatike.
KOHA: Franca a është e gatshme ta pranojë dhe të respektojë çfarëdo verdikti të Gjykatës Kushtetuese, përkitazi me kushtetutshmërinë e përmbajtjes së draftstatutit të Asociacionit?
Guérot: Draftstatuti i prezantuar nga Bashkimi Evropian parasheh që ky të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo siguron një garanci shtesë për Kosovën.
KOHA: A ka një afat kohor kur Marrëveshja Bazë duhet zbatuar plotësisht?
Guérot: Serioziteti i ngjarjeve në Banjskë e bën edhe më evidente urgjencën për Serbinë ashtu si edhe për Kosovën, për të treguar përgjegjësi për të ulur tensionet dhe për t’u riangazhuar me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, kjo është mënyra e vetme e mundshme për të arritur një normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për t’u mundësuar atyre të ecin drejt Bashkimit Evropian dhe, në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, një domosdoshmëri për ta garantuar stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e kontinentit evropian.
KOHA: Cilat janë pasojat për palët, në rast se brenda një afati të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar, marrëveshja nuk zbatohet?
Guérot: Bashkimi Evropian nuk i mori me ngazëllim masat e qershorit të kaluar kundër Kosovës. Në këtë fazë nuk dua të spekuloj, sepse jemi me një agjendë pozitive, të cilën ia dolëm ta rifillojmë gjatë bisedimeve të tetorit. Nuk duhet ta humbim këtë dinamikë.
KOHA: Njërës prej pasojave që në Kosovë i druhen, është ajo e pezullimit të vendimit për liberalizimin e vizave. A kanë arsye kosovarët të frikësohen nga veprimet e Francës, që mund të çojnë në këtë pezullim?
Guérot: Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidenti francez theksoi nevojën që të dyja palët të tregojnë përgjegjësi. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi. Shpresojmë që të ndriçohet e tëra rreth sulmit të 24 shtatorit dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë. Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare. Ai ka apeluar në frymën e përgjegjësisë së presidentit serb Vuçiq dhe ka shprehur të njëjtat pritshmëri nga presidenti dhe nga kryeministri i Kosovës. Pikërisht në këtë kontekst ai ngriti edhe çështjen e liberalizimit të vizave, i cili ishte një gjest besimi, por që në këtë fazë nuk ishte reciprok. Prandaj ai priste që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të angazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme.
KOHA: Mund t’i siguroni kosovarët që pas 1 janarit të 2024-tës, mund ta vizitojnë Francën dhe vendet e tjera të zonës Schengen, pa pasur nevojë për vizë?
Guérot: Në këtë fazë, përgatitjet teknike për liberalizimin e vizave më 1 janar po vazhdojnë, por do të ishte me rrezik të mos dëgjohet mesazhi politik i presidentit që sapo përkujtova.