Disa nga punëtorët praktikantë të “Trepçës” kanë paralajmëruar padi ndaj ndërmarrjes publike për mospagesë të plotë. Ata bënë punë praktike gjashtë muaj dhe i morën nga 100 euro në tre muajt e parë. Ndërmarrja ua ka borxh edhe nga 300 euro. Atyre u është premtuar se do të punësohen në të ardhmen dhe disa kanë frikë të përfshihen në padi nga hakmarrja e mundshme e menaxhmentit
Ani se punën praktike e kanë përfunduar në korrik të këtij viti, punëtorët praktikantë të Minierës së Stantërgut nuk janë paguar plotësisht. Ndërmarrja u ka ngelur borxh edhe për nga 300 euro. Ata kanë punuar gjashtë muaj, por i kanë marrë vetëm 300 euro për tre muajt e parë.
Praktikantët e grupit të dytë dhe të tretë në këtë minierë të “Trepçës”, që bashkë janë rreth 120, kanë paralajmëruar padi ndaj ndërmarrjes për borxhin.
“Me pagesën nuk kemi qenë të kënaqur, sepse nuk jemi pagu. Ne kemi punuar një herë na kanë dhanë 100 euro, një herë 200 edhe shujtat që kanë qenë me na dhënë ushqimin, rrugën e këto nuk na kanë paguar. Edhe na kanë mbetur borxh nga 300 euro”, ka thënë Esat Deliu, ish-praktikant.
Ata janë ankuar edhe për punën e tepërt që u është ngarkuar.
“Fatkeqësisht neve si praktikantë na kanë shfrytëzuar në maksimum. Na kanë mbajtur edhe ndërrimet e dyta edhe të treta që është e jashtëligjshme dhe kanë mbajtur praktikantë deri në përfundimin e orarit të plotë të punës”, ka deklaruar ish-praktikanti tjetër, Arsim Musa.
Sipas tyre, pas punës praktike u është premtuar punësimi dhe për këtë arsye disa janë të frikësuar të ndjekin rrugët ligjore. Disa praktikantë nga grupi i parë tashmë janë pranuar si punëtorë të rregullt në “Trepçë”.
“Të hënën e kemi në plan me ba një padi kundër ndërmarrjes ‘Trepça’, për këto pagesa që nuk na kanë bërë ende. Fatkeqësisht në mesin tonë ka praktikantë këtu, por po kanë frikë me folë edhe me dalë para kamerave për shkak se gjoja ‘Trepça’ do të na hakmerret”, ka shtuar Musa.
Mbështetje për këtë nismë praktikantët kanë marrë edhe nga përfaqësues të Sindikatës.
“Drejtësia ka me dalë në shesh, që ja kanë bërë të padrejtë edhe le të paditet. Neve na vjen keq se na kemi me u dënu, se djersa jonë është prej neve këtu, mirëpo ne kemi me u dënu ndoshta edhe me kamatë. Mirëpo, ne e mbështesim çdo punëtor që i shkelen të drejtat e tij”, është shprehur Gani Osmani, anëtar i Kryesisë së Sindikatës së “Trepçës”.
Bujar Jashari, ushtrues detyre i drejtorit në Minierën e Stantërgut, ka thënë se nuk është zgjidhje e duhur ndjekja e rrugëve ligjore.
“Unë personalisht mendoj që është e gabuar që një institucion që po të ofron praktikë edhe punë, nuk është mirë t’i bësh padi. Kurse ne jemi në përpjekje gjithë, si menaxhmenti, si ne për t’i krijuar kushte për t’u punësuar me kontratë të përhershme”, ka deklaruar Jashari.
E nga menaxhmenti i “Trepçës” nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Ministria e Ekonomisë.
Ndërmarrja publike “Trepça” pati hapur konkurs për 180 pozita për praktikantë më 25 maj të vitit të kaluar. Grupi i parë e përfundoi me punën praktike po atë vit, kurse grupi i dytë dhe i tretë filluan në janar dhe e përfunduan në korrik.