Raporti gjashtëmujor i punës së SHSKUK-së për vitin 2023 është prezantuar javën e kaluar në mbledhjen e Bordit të këtij institucioni. Aty flitet për shumë punë të përfunduara me sukses gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Megjithatë, KOHA ka analizuar një nga një secilin projekt që e kanë cilësuar të përfunduar. Pas analizimit del që shumica e punëve që janë paraqitur si suksese nuk kanë nisur ose janë larg realizimit
Punë që nuk kanë nisur fare por prezantohen si të përfunduara gjenden me bollëk në një raport 52 faqesh të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK). Raporti që përmbledh punën e gjashtëmujorit të parë të këtij viti është prezantuar në mbledhjen e fundit të Bordit të SHSKUK-së, të mbajtur javën e kaluar e ku nuk u lejua incizimi me kamerë nga mediat.
KOHA ka analizuar përmbajtjen e raportit të punës së këtij institucioni. Nga aty del se në shumicën e këtij raportit SHSKUK-ja ka mashtruar me ato që i ka quajtur punë të përfunduara.
Një nga punët që kanë thënë se janë kryer, është krijimi i filtër-zonave para sallave të operacionit. Përveçse në QKUK, në raport si të kryera janë prezantuar edhe projektet në spitalet rajonale.
“Kontrolli dhe parandalimi i infeksioneve brendaspitalore – Aktivitetet e përfunduara të këtij objektivi janë: vendosja e zonave të filtrit në të gjitha blloqet operative të klinikave të QKUK-së dhe së paku në 50 për qind të sallave kirurgjike në spitalet e përgjithshme”, thuhet në këtë raport.
Mbledhja ku është prezantuar ky raport me këto të dhëna është mbajtur të mërkurën e javës së kaluar.
Disa orë pas prezantimit të këtij raporti KOHA e ka intervistuar kryesuesin e Këshillit për Infeksione Spitalore në QKUK, Gazmend Spahija. Ai është pyetur edhe për mungesën e këtyre filtër-zonave dhe projektin që sipas tij ekziston, por ende as nuk ka filluar implementimin.
“Secila sallë operative duhet me pas një filtër-zonë, por se vetë infrastruktura e spitalit tonë nuk është e përgatitur për diçka të tillë. Ka shumë telashe për ta improvizuar atë. E di që është projekti për si me thënë që me u ristrukturuar edhe secila zonë me e pasë një zonë të filtrit ku duhet me e larguar edhe stafin shëndetësor edhe vizitorët prej sallave brenda. Shpresoj shumë dhe besoj shumë që janë marrë me seriozitet me këtë projekt i cili kushton, por që kemi me pasë një sukses”, ka deklaruar Gazmend Spahija, kryesues i Këshillit për Infeksione Spitalore.
Me lejen e menaxhmentit të mërkurën e javës së kaluar, KOHA ka mundur të incizojë disa nga sallat e operimit në QKUK. Janë siguruar pamje nga salla e operimit të Kirurgjisë Torakale e Klinikës së Urologjisë. Siç dëshmohet në video asnjëra nga to nuk ka filtër-zona siç thuhet në raportin e punës së QKUK-së.
Po ashtu, janë vizituar edhe sallat e Klinikës së Ortopedisë. As ato nuk kanë zona të tilla.
Në raport, punë e përfunduar është konsideruar edhe rinovimi i nyjave sanitare në gjashtëmujorin e parë. Edhe kjo del që është e pavërtetë.
Kjo dëshmohet nga pamjet e incizuara nga KOHA javën e kaluar - dyer të zhvendosura plotësisht nga vendi, myku në pllakat e tavanit, mungesa e ndriçimit...
Për të dhënë komentet mbi pavërtetësinë e të dhënave në këtë raport zyrtar, KOHA ka dërguar pyetje tek drejtori aktual i SHSKUK-së, Elvir Azizi, te kryesuesi i Bordit të SHSKUK-së, që në të njëjtën kohë është edhe sekretar në MSH, Naim Bardiqi, dhe te ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.
Ditët në vijim KOHA do të publikojë të tjera të dhëna të këtij raporti, me projekte që figurojnë të përfunduara e që realizimi i tyre nuk ka filluar ende.