Arbëri

Sot seancë e jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës

Kuvendi i Kosovës sot mban një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Seanca e cila është paraparë të nisë në orën 11:00, është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, të mërkurën ka shkruar në Facebook se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror, e kjo sipas tij, duhet të bëhet nëpërmjet votimit në Kuvend.

“Nesër kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar këtë Rezolutë. Policët tonë meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm. I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë”, ka shkruar ai.

Kuvendi i Kosovës të enjten do të mbajë edhe vazhdimin e seancës plenare me pikat e papërfunduara në seancën e mbajtur më 5 tetor. Kjo seacnë pritet të nisë në orën 14:00.

Rendi i ditës

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 tetor 2023:

3 Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,

5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,

8. Emërimi i dy (2) anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës,

9. Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit,

10. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,

11. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,

12. Propozimi i GP të LVV për zëvendësimin e anëtares në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.