Kryeministri Albin Kurti të shtunën ka njoftuar se 3941 serbë kanë konvertuar patentë shoferët ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele serbe në Kosovë, kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundim të afatit.
Ministria e Punëve të Brendshme pati vendosur që nga 9 maji i këtij viti t’u lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS me disa lehtësira, pasi nuk do t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht të këtij viti.
Në një shkrim në Facebook, Kurti ka shkruar se përgjatë gati tre muajve nuk është shënuar asnjë incident që lidhet me konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS, derisa ka ftuar serbët që nuk kanë aplikuar ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“3941 bashkëqytetarë nga komuniteti serb, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës kanë aplikuar deri më sot për konvertim të patent shoferëve nga ato të strukturave ilegale të Serbisë në patent shofer të Republikës së Kosovës. Deri në përmbylljen e afatit për aplikim, kanë mbetur edhe dy javë. Nga 9 maji kur ka filluar ky proces, nuk është shënuar asnjë incident i vetëm. I ftoj të gjithë ata që nuk kanë aplikuar ende për konvertim të patent shoferit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi e cila ofrohet në të gjitha komunat deri më datë 9 gusht. Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet tona”, ka shkruar Kurti.
Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.