Arbëri

Shefi i prokurimit qendror, njëri prej fituesve të tenderëve 5-milionësh në QKUK

qkuk

Foto: Ilustrim

Udhëheqësi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Behgjet Rrukiqi, nga janari i këtij viti është bërë edhe pronar i një kompanie private, e cila në konsorcium me disa kompani të tjera janë shpallur fitues të dy tenderëve në vlerë afro 5 milionë euro nga prokurimi i QKUK-së në muajin gusht. Rrukiqi e ka pranuar se është pronar aktual i Kompanisë “EURO-SERVICES”, por ka thënë se ai udhëheq Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik dhe se nuk ka dorë në tenderët për të cilët vendosin autoritetet e tjera kontraktuese

Behgjet Rrukiqi, zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik (AQP) është bërë pronar i një kompanie private. Pak muaj pasi thotë se ka marrë pronësinë nga vëllai i tij, ka fituar edhe tenderë publikë. Prokurimi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për dy tenderë i ka shpallur fitues dy grupe operatorësh ekonomikë, ku bën pjesë edhe Kompania “EURO-SERVICES” SH.P.K., pronar i së cilës është Rrukiqi. Vlera e këtyre tenderëve është afro 5 milionë euro.

Behgjet Rrukiqi e ka pranuar se është pronar i kësaj kompanie. Por, sipas tij, pronësinë e ka “trashëguar” nga vëllai Xhevdet Rrukiqi nga 31 janari i këtij viti. Ndërkohë, dy dokumente të ndryshme dalin kur kërkohet në ueb-faqen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) për “EURO-SERVICES”: Në njërin dokument figuron se kjo kompani është e regjistruar më 28.06.2013 me pronar Xhevdet Rrukiqin dhe se biznesi është shuar më 29.10.2014. Ndërkohë, në dokumentin tjetër ku pronar aktual figuron Behgjet Rrukiqi, del që kompania është regjistruar më 04.12.2014, më pak se dy muaj pas shuarjes. Ajo që ndryshon ndërmjet këtyre dokumenteve, pos pronarit dhe datës së regjistrimit, është edhe numri i biznesit dhe numri fiskal.

Rukiqi është zgjedhur drejtor i AQP-së më 15 maj 2018, ndërkaq prej 15 majit 2021 kur i është kryer mandati, e mban atë pozitë si zëvendësues.

“Historia” rreth pronësisë

Behgjet Rrukiqi, i cili nuk ka pranuar që të intervistohet para kamere, insiston se pronar i kësaj kompanie është vetëm prej janarit të sivjetmë.

“Xhevdet Rrukiqi është vëllai im, dhe ju informoj që kompania EURO - SERVICES SH.P.K. nuk është shuar, por këtë vit (2023) është bartur nga vëllai im tek unë. Kjo, për arsye se vëllai im për çështje personale nuk donte të vazhdonte me këtë kompani. Në vitin 2014, kompania është kthyer në SH.P.K., ku pronar kanë qenë dy vëllezërit e mi, ndërsa për arsye të migrimit të njërit vëlla (Muhamedi) i njëjti i ka falur aksionet Xhevdetit, pra pronarët janë ndryshuar disa herë në mes vëllazërive”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Behgjet Rrukiqi. “Nëse ju keni referuar shuarjes së kompanisë në vitin 2014, atëherë ju lutem kontaktoni kompaninë të cilët mund t’ju japin më shumë informacion, pasi që me aq sa kam informacione unë ajo kompani nuk ka operuar ndonjëherë, por vëllai ka regjistruar kompaninë në SH.P.K. në mungesë të informacionit që biznesin individual mund ta kalojë në SHPK dhe pasi që ka marrë këtë informacion, e ka shuar SHPK, me qëllim që ta kthejë biznesin individual në SHPK (kjo, për arsye se nuk lejohen dy kompani SHPK me të njëjtin emër), ndërsa kompania të cilën e kam unë në pronësi operon që nga viti 2008, por fillimisht si biznes individual dhe nga viti 2014 si SH.P.K. Unë mund t’ju informoj që unë jam pronar i kompanisë EURO - SERVICES SH.P.K nga data 31.01.2023”.

Në të njëjtën ditë për çështjen që lidhet me pronësinë në këtë kompani, KOHËS i ka dërguar e-mail vëllai i tij, Xhevdeti, pa e pyetur atë fare. Gati të njëjtat sqarime që i ka bërë Behxhet Rrukiqi, i ka shkruar edhe ai. Por, për dallim nga i vëllai, Xhevdeti ka paralajmëruar se në të njëjtën e-mail është përfshirë edhe avokatja e kompanisë. Ndërsa, ka ofruar edhe disa dokumente, gjë që nuk e ka bërë Behxhet Rrukiqi. Ajo që vërehet në këto dokumente është se 21 ditë pas periudhës që kap raporti i Agjencisë Kundër Korrupsionit (tash Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit) për deklarimin e pronësisë, Bordi i kompanisë ka marrë vendim që pronar të bëhet Behxhet Rrukiqi, drejtor i AQP-së. Sipas Statutit të kompanisë që mban datën 23.01.2023, te kapitulli për themeluesin shkruan se themelues është Behgjet Rrukiqi me 100 për qind aksione. Dokumenti mban firmën e pronarit të vjetër, Xhevdet Rrukiqi, pronarit të ri Behgjet Rrukiqi, dhe drejtorit Ekrem Sadiku.

Nga ARBK nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara nga KOHA, por kanë thënë se ato janë në dokumentet në të cilat i është lejuar qasje KOHËS pas kërkesës që u është bërë. Në dy faqe A4 janë të përshkruara të dhënat e biznesit dhe historiku i pronarëve e përfaqësuesve të kompanisë. Në faqen e parë që figurojnë të dhënat e historisë së biznesit shkruan se kjo kompani është regjistruar më 04.12.2014, ndërsa në faqen tjetër ku figuron historiku i pronarëve shkruan që nga data 13.02.2008 pronar për disa vjet ka qenë vetëm Muhamet Rrukiqi. Ndërsa nga data 29.04.2015 deri më 24.05.2019, pronarë kanë qenë Muhamet Rrukiqi dhe Xhevdet Rrukiqi. Më pas pronar i kompanisë deri më 31.01.2023 pronar ka qenë vetëm Xhevdet Rrukiqi. Në krye të dokumentit figuron që pronar është Behgjet Rrukiqi, por nuk shkruan prej cilës datë, siç është paraqitur te dy pronarët e tjerë. Gjatë kësaj kohe, prej kur është regjistruar, shihet që adresa e kompanisë ka ndryshuar disa herë. Në tri faqet e tjera të dosjes së kompanisë janë përshkruar aktivitetet me të cilat është marrë dhe merret tash “EURO-SERVICES Sh.P.K.

Image
Pjesë e dosjes së Kompanisë EURO-SERVICES Sh.P.K. që tregon rreth historisë së ndërrimit të pronarëve

Tenderët në QKUK

Edhe pse është e regjistruar shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, kjo kompani merret me shumë aktivitete. Primar tash e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa sekondare e ka të shënuar “aktivitetet e paketimit” (ambalazhimit). Por, ajo merret edhe me 47 aktivitete tjera, siç figuron në dokumente të ARBK-së. Behgjet Rrukiqi, por as Xhevdeti, në “sqarimin” e tij, nuk kanë treguar se sa tenderë publikë i kanë fituar deri tash. KOHA e ka siguruar një kontratë të vitit 2020 (që mban vulën e protokollit 08.04.2022) ndërmjet konsorciumit “EURO-SERVICES” SH.P.K. dhe AAG Projekt SH.P.K. dhe Ministrisë së Shëndetësisë për rehabilitimin (rinovimin) e tualeteve në Klinikën e Pulmologjisë dhe vendosjen e ashensorëve në Klinikën Infektive. Vlera e kësaj kontrate ishte 390,299.97 euro dhe ishte financuar nga Banka Botërore. Për të njëjtën ishte nënshkruar edhe një aneks-kontratë për punë shtesë në vlerë 53,180.58 euro.

Behgjet Rrukiqi, edhe pse thotë se në këtë kohë nuk ka qenë pronar, ai ka njohuri për këtë kontratë.

“Me aq sa kam unë informacion në vitin 2020 ka fituar atë kontratë në një projekt të Bankës Botërore, por ju lutem për çdo informacion lidhur me veprimtarinë e kompanisë t’i drejtoni pyetjet tuaja tek stafi menaxhues i kompanisë”, ka thënë ai.

Në formë të grupit të operatorëve, kjo kompani tash së fundmi është shpallur fituese e dy tenderëve në QKUK. Njëri tender ka të bëjë me ndërtimin e objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji dhe Grupi i operatorëve ekonomikë ku bën pjesë edhe “EURO-SERVICES” është vlerësuar i suksesshëm (AAG PROJET, TOP PROJEKT SH.P.K., EURO-SERVICES SH.P.K. dhe EGO ELSA SH.P.K.). Shuma me të cilin ka konkurruar ky grup i OE-ve është 4,299,293.31 euro. Ky ofertues nuk ka qenë më i liri, por operatorët e tjerë janë eliminuar për arsye të ndryshme. Pos grupit të sipërcekur janë edhe katër kompani ose grupe operatorësh që kanë konkurruar për këtë tender: H&B Consulting SH.P.K me çmimin 4,247,770.80 euro, Grupi i OE-ve LIMITPROJECT SH.P.K., AURA INVEST SH.P.K., DELTA-CCD SH.P.K., Rinesa SH.P.K. me çmimin 4,605,459.61 euro, Grupi i OE-ve: ADA CONSULTING GROUP SH.P.K., SHM Architecture SH.P.K., ARBËRI NORA E HOTIT me çmimin 4,307,848.20 euro dhe Grupi i OE-ve Olti Trasing SH.P.K., BENI DONA me çmimin 3,846,000.00 euro. Siç shkruan në njoftimin mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues (QKUK) të datës 31.08.2023, disa prej arsyeve të eliminimit të këtyre kompanive janë se kanë ofruar vlefshmërinë e sigurisë më pak se 120 ditë (siç ishte kërkuar në Dosje të Tenderit-DT), pastaj plani dinamik i punimeve ishte më të gjatë se që është kërkuar në DT, se nuk kanë paraqitur teknologë për gazra medicinale aq sa ishin kërkuar, nuk kanë paraqitur katalogun për elemente spitalore, nuk kanë paraqitur marrëveshje bashkëpunimi, parakontratë me trupin e autorizuar ose deklaratë me shkrim për trupin e autorizuar siç kërkohej në FDT, nuk kishin certifikatë për saldimin e gypave të gazrave medicinale, pastaj kishin bërë gabim në llogaritje të çmimit për njësi, etj.

Tjetri tender po ashtu në QKUK ka të bëjë me rinovimin e Klinikës së Onkologjisë ku fitues është shpallur Grupi i OE-ve: EGO ELSA SHP.K., EURO-SERVICES SH.P.K., AR TECH SH.P.K dhe TOP PROJEKT SH.P.K. Vlera me të cilën ka konkurruar ky grup i OE-ve është 557,014.80 euro. As këtu ky Grup i operatorëve nuk ishte me çmimin më të lirë, por OE-të tjerë janë eliminuar. Pos Grupit fitues, në këtë tender kishte konkurruar edhe Olti Trasing S.P.K me çmimin 528,660.00 euro dhe Grupi i OE-ve Termomontimi Sh.P.K., N.T.SH. Elektromontimi me çmimin 596,612.32 euro. Edhe te ky tender, në njoftimin e AK-së të datës 10.08.2023, arsyeja pse janë eliminuar, sipas vendimit të AK-së, është plani dinamik për njërin ofertues dhe për tjetrin se nuk ka qenë në mesin e tenderëve që plotësonin kërkesat e dhëna në njoftimin e kontratës dhe dosjes së tenderit.

Fitues “i dyfishtë”

Bexhet Rrukiqi ka folur edhe për këta tenderë. Në përgjigjen që ia ka kthyer KOHËS më 6 shtator, 26 ditë pasi Autoriteti kontraktues e ka shpallur fitues konsorciumin për njërin tender dhe 6 ditë pasi ka shpallur fitues në tenderin e dytë, Rrukiqi ka thënë se ende nuk e di nëse kompania e tij i ka fituar ata.

“Me aq sa kam momentalisht informata kompania ende nuk i ka fituar kontratat e cekura nga ju, por gjithsesi për më shumë informacione lidhur me kompaninë ju lutem dërgoni pyetjet tuaja në kompani pasi që ashtu siç ju ceka më lart unë jam vetëm pronar dhe kompania ka stafin e vet menaxhues”, ka deklaruar Behgjet Rrukiqi.

Zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik ka refuzuar të përgjigjet nëse ka përdorur autoritetin e tij për të fituar tenderë në QKUK.

Ndërkohë, në përgjigjet e Zyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK, që u janë referuar si informata nga sektori i prokurimit të ShSKUK-së dhe sektori i prokurimit të QKUK-së, thuhet se fitues i kontratës “Rinovimi i Klinikës së Onkologjisë në QKUK është Grupi i operatorëve ekonomikë EGO ELSA SHPK, EURO-SERVICES SHPK, AR-TECH SHPK, TOP PROJEKT SHPK, kurse i kontratës “Ndërtimi i objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” fitues është shpallur Grupi i operatorëve ekonomikë AAG PROJEKT, TOP PROJEKT SHPK, EURO-SERVICES SHPK, EGO ELSA SHPK. Arsyetimi që kanë dhënë në këto përgjigje të shkurtra është se kanë qenë “tenderë përgjegjshëm me çmim më të lirë”.

Në këto përgjigje, që pos KOHËS u janë dërguar edhe zyrtarëve të tjerë, ndër ta edhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe sekretarit të përgjithshëm të MSH-së, Naim Bardiqi, thuhet se janë në dijeni se pronar i “EURO-SERVICES SH.P.K.” është drejtori i AQP-së, Behgjet Rrukiqi.

“Po jemi në dijeni! Nuk ka nënshkruar tenderë (Behgjet Rrukiqi v.j.) në QKUK si zyrtar kryesor administrativ, ai nënshkruan tenderët për AQP. Ne si institucion nuk jemi kompetentë të vlerësojmë nëse ka pasur konflikt interesi!”, është thënë shkurt nga Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së.

KOHA ka pyetur nëse kjo kompani si e vetme ose edhe në formë konsorciumi ka fituar edhe më parë tenderë në QKUK, por zyrtarët e saj e kanë mohuar një gjë të tillë, edhe pse në vitin 2020 si konsorcium kishte bërë rehabilitimin (rinovimin) e tualeteve në Klinikën e Pulmologjisë dhe vendosjen e ashensorëve në Klinikën Infektive (financim i Bankës Botërore).

Në vitin 2022 në cilësinë e zyrtarit kryesor administrativ, Rrukiqi i ka nënshkruar dy kontrata për artikuj ushqimor që kanë qenë të dedikuara për QKUK-në. Njërin e kishte fituar Grupi i OE-ve “Dauti Komerc” SH.P.K., “Dauti Komerc AD” Saraj-Shkup, Gërlicë dhe vlera totale indikative e kontratës ishte 1,890,225.50 euro. Derivimi i lejuar nga vlera totale indikative ishte +/-30 për qind. Ndërsa tjetrin që e kishte fituar “Beni Dona” vlera totale indikative ishte 1,986,283.80 euro. Derivimi i lejuar nga vlera totale indikative ishte +/-30 për qind.

Pronar një muaj pas deklarimit të pasurisë

Behgjet Rrukiqi thotë se këta tenderë i ka nënshkruar si drejtor i AQP-së.

“Fillimisht ju informoj që unë jam drejtor i Përgjithshëm i AQP-së dhe jam i punësuar në AQP tashmë për më shumë se 20 vite (5 vjetët e fundit si drejtor i Përgjithshëm). Me këtë rast ju informoj që unë asnjëherë nuk kam qenë zyrtar në QKUK, e aq më tepër zyrtar kryesor administrativ e me këtë kuptohet që nuk kam nënshkruar asnjëherë në emër të ZKA të QKUK-së”, ka thënë Rrukiqi. “Nëse u referoheni kontratave të centralizuara për furnizim me artikuj ushqimor, atëherë ju informoj që ato kontrata i kam nënshkruar në pozitën e ZKA-së së AQP-së, pra këto janë kontratat të AQP-së dhe jo të QKUK-së. Këto kontrata shfrytëzohen nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe jo vetëm nga QKUK, pra QKUK është vetëm njëri ndër shumë institucionet që shfrytëzojnë këto kontrata dhe me këtë rast nuk ka asnjë lidhje në mes asaj që QKUK është njeri ndër institucionet që shfrytëzojnë këto kontrata me atë që unë i kam nënshkruar, pasi që këto janë kontrata të AQP-së dhe institucionet janë vetëm shfrytëzues të tyre (kjo vlen edhe për QKUK-në)”.

Ai thotë se nuk ka ndikim tek autoritetet kontraktuese të tjera.

“Për informimin tuaj, AQP (ku unë jam drejtor) është autoritet kontraktues si të gjitha autoritetet e tjera kontraktuese dhe nuk ka asnjë ndikimi tek autoritetet e tjera kontraktuese. Pra AQP nuk është institucion që monitoron prokurimin publik apo interpreton ligjin e prokurimit publik apo merr vendime për institucionet e tjera”.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje, por kanë kërkuar që të përdoren përgjigjet e SHSKUK-së dhe QKUK-së.

“Lidhur me pyetjet tuaja, luteni që t’u referoheni përgjigjeve të dhëna nga Sektori i Prokurimit- SHSKUK dhe Sektori i Prokurimit- QKUK. Sa i përket dy çështjeve të fundit (rreth konfliktit të interesit v.j.), të ngritura nga ana juaj, ju rekomandojmë që për përgjigje t’i drejtoheni Agjencisë Kundër Korrupsionit, si autoritet kompetent për këto çështje”, thuhet në përgjigjen e Divizionit për Komunikim me Publikun të MSH-së.

Edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Naim Bardiqi, njëherësh edhe kryesues i Bordit të SHSKUK-së, vetëm i ka ridërguar përgjigjet e sektorëve të prokurimit të SHSKUK-së dhe QKUK-së.

Duke u thirrur në faktin që është bërë pronar pasi ka përfunduar viti 2022, Behgjet Rrukiqi, ka thënë se nuk e ka të deklaruar Kompaninë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Këtë ka thënë se do ta bëjë vitin tjetër.

“Kompaninë do ta deklaroj në Agjencinë Kundër Korrupsionit në kohën kur do të deklaroj pasurinë për vitin 2023, ndërsa këtë vit nuk e kam deklaruar, pasi që deklarimi i pasurisë është bërë për deri më datën 31.12.2022, ndërsa unë kam marr pronësinë në vitin 2023, me këtë rast konsideroj që deklarimin e kam bërë në mënyrë të rregullt”, ka thënë ai.

Në formularin mbi deklarimin e pasurisë të vitit 2021, shkruan se bashkëshortja e Rrukiqit ka huazuar 3,500 euro nga “EURO-SERVICES SH.P.K.” dhe dy herë nga 5 mijë euro të tjera nga personat fizikë. Gjithashtu ka shënuar se bashkëshortja ka filluar edhe të marrë pagë në Kompaninë “EURO-SERVICES” SH.P.K.

Shkarko dokumentin (Pak muaj pasi Behgjet Rrukiqi e ka marrë pronësinë Kompania “EURO SERVICES SH.P.K.” në formë konsorciumi është shpallë fituese e tenderit të dytë në QKUK brenda muaji gusht në vlerë rreth 4,3 milionë euro)

APK “mund t’ia kontrollojë prejardhjen e pasurisë”

Por, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik nuk e konsideron se ka konflikt interesi që bashkëshortja e tij ka marrë pagë në një kompani që fiton tenderë publikë e vetë është në krye të AQP-së.

“Ashtu siç e sqarova edhe më lartë, kompania ishte në pronësi të vëllezërve të mi dhe tashmë në pronësinë time, ndërsa bashkëshortja ime është e deklaruar si punëtore me pagë sekondare që është e drejtë ligjore dhe nuk ka të bëjë me asnjë shkelje dhe po ju përsëris edhe njëherë që unë nuk kam nënshkruar asnjëherë kontrata të QKUK-së”, ka deklaruar Behgjet Rrukiqi. “Nuk ka asnjë konflikt interesi përderisa unë nuk kam qenë pjesë nga pozita zyrtare që mbaj në asnjë fazë të asnjërës prej procedurave ku ka aplikuar apo ku ka fituar kontratat kompania. Gjithsesi ju mund t’i drejtoheni organit kompetent Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me këtë çështje. Nuk e kuptoj se pse e cilësoni si konflikt interesi që gruaja ime është e punësuar në një kompani që ka fituar kontrata në projektet e Bankës Botërore, por edhe të fitojë kontrata publike në të ardhmen në institucionet ku unë apo gruaja ime nuk punojmë dhe nuk kemi punuar asnjëherë”.

Në përgjigjet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, thuhet se mund të fillojnë kontrollin e plotë të prejardhjes së pasurisë për Behgjet Rrukiqin.

“Në cilësi të autoritetit qendror për zbatimin e Ligjin nr. 06/L-011, për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, APK ju njofton si në vijim: Në nenin 15 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është përcaktuar transferimi i të drejtave në drejtimin e ndërmarrjes, ndërsa në paragrafi 2 të këtij neni shprehimisht thuhet; ‘Zyrtari i lartë, pronari i aksioneve, gjegjësisht pjesës së kapitalit në një ndërmarrje, gjatë ushtrimit të funksionit publik, duhet t’i transferojë të drejtat e administrimit ose menaxhimit, apo drejtimit tё ndërmarrjes te ndonjë person i besuar”, thuhet në përgjigjet e APK-së. “Pra, të qenët pronar apo bashkaksionar në biznes privat nuk paraqet ‘apriori’ situatë të konfliktit të interesit sipas Ligji nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Ndërsa në nenin 13 të Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit, është përcaktuar kufizimi si në vijim; ‘Ndërmarrja në të cilën zyrtari i lartë ka pronësi apo pjesë të pronësisë, e drejtuar nga personi i besuar apo i afërm, nuk kanë të drejtë të lidhin kontratë ose të përfitojnë ndihmë nga institucionet qendrore ose lokale, në të cilat zyrtari i lartë ushtron detyra publike”.

Sipas zyrtarëve të APK-së, konflikti i interesit është i lidhur ngushtë me procesin e vendimmarrjes (apo çastet paraprake), nën kushtet e ekzistencës së interesit privat të zyrtarit ose të personave të afërm të tij në një çështje të caktuar.

“Lidhur me këtë në nenin 17 paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është përcaktuar se: ‘Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetëdeklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm me të lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje”.

Sa i përket deklarimit të pasurisë, zyrtarët e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit kanë thënë se Rrukiqi nuk e ka deklaruar pronësinë në biznesin “EURO-SERVICES” SH.P.K.

“Mirëpo te pjesa e të hyrave ka deklarua se bashkëshortja e tij ka marr të hyra nga ky biznes, njëjtë si në të kaluarën”, thuhet në përgjigjet e APK-së. “Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) bazuar në informacionin e pranuar ka mundësi që sipas dispozitës së nenit 18 (paragrafi 14) të Ligjit nr. 08/L-108 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, të fillojë kontrollin e plotë të deklarimit të pasurisë të subjektit deklarues në fjalë, ndër të tjera, me qëllim të verifikimit të vërtetësisë dhe saktësisë së të dhënave të përfshira në formularin e deklarimit, krahasimin e të dhënave me formularët e mëparshëm si dhe të dhënat e kërkuara në deklaratë të cilat nuk i ka paraqitur”.

Emri me “xh” apo “gj”?

Tutje thuhet se sipas po kësaj dispozite, aktualisht APK është në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve të shqyrtimit administrativ dhe nuk mund të komentojë rezultatin final.

“Ky shqyrtim administrativ do të kryhet brenda afateve ligjore. Po ashtu, për informimin tuaj ju informojmë se paragrafi 6 i dispozitës së lartcekur përcakton atë se: ‘Nëse subjekti deklarues nuk ofron dëshmi apo ofron dëshmi të cilat nuk janë bindëse, Agjencia e përcjell rastin në prokurorinë kompetente”.

Rrukiqi është i regjistruar në gjendjen civile me këtë emër. Me gj emrin e ka të shënuar edhe si pronar i Kompanisë dhe po ashtu në formularin mbi deklarimin e pasurisë. Në të vetmin vend ku shkronja gj në mes të emrit është shënuar me xh është në Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik. Kur është pyetur se çka ka dashur të fshehë me këtë, Behgjet Rrukiqi ka thënë se është vetëm një gabim teknik. Por, nuk duket vetëm kaq.

“Edhe një herë ju konfirmoj që unë jam pronar i kompanisë EURO - SERVICES SH.P.K. dhe nuk kam asgjë për të fshehur, emrin në dokumente e kam me ‘gj’, ndërsa mund të jetë ndonjë gabim teknik aty ku me figuron me ‘xh’, por që ju konfirmoj që jam unë. Ndërsa pyetjet e tjera se a është ushtruar presion apo si është marrë kredia nuk i vlerësoj si pyetje serioze për të cilat duhet të jap përgjigje”, ka thënë ai.

Por, në fund të përgjigjeve, ai vetë e shkruan, Behxhet Rrukiqi, njësoj siç e ka të shënuar edhe në adresën elektronike zyrtare të drejtorit të AQP-së.

Shkarko dokumentin (Disa nga arsyet e eliminimit të konkurrentëve të Kompanisë së Rrukiqit, sipas njoftimit të AK-së kanë qenë plani dinamik dhe se nuk i kanë plotësuar kërkesat e dhëna në njoftimin e kontratës dhe dosjes së tenderit)