Arbëri

Beteja për shtet

Rruga për ta luftuar kontrabandën shënoi fillimin e një beteje për ta mbrojtur territorin nga serbë të trajnuar për sulme terroriste. Në orën 2 e 38 minuta të datës 24 shtator, tre policë kufitarë në detyrë, që po lëviznin me një automjet të pablinduar, panë pas mesnatës dy kamionë të vendosur në rrugën mbi urë, afër Manastirit në fshatin Banjskë. Fillimisht dyshuan se bëhej fjalë për import ilegal të mallrave. E, sapo mbërritën përforcime, u sulmuan me armë e mjete shpërthyese. Nga sulmi me predha mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos Alban Rashiti

Një patrullim i zakonshëm i policisë së Kosovës në Zveçan demaskoi sulmin në përgatitje nga një grup paraushtarak serb, që fillimisht u besua se përbëhej nga 30 pjesëtarë e më vonë u konstatua se bëhet fjalë për trefish më shumë.

Rruga për ta luftuar kontrabandën shënoi fillimin e një beteje për ta mbrojtur territorin nga serbë të trajnuar për sulme terroriste.

Në orën 2 e 38 minuta të datës 24 shtator, tre policë kufitarë në detyrë, që po lëviznin me një automjet të pablinduar, panë pas mesnatës dy kamionë të vendosur në rrugën mbi urë, afër Manastirit në fshatin Banjskë. Fillimisht dyshuan se bëhej fjalë për import ilegal të mallrave. E, sapo mbërritën përforcime, u sulmuan me armë e mjete shpërthyese.

Nga sulmi me predha mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos Alban Rashiti.

Ajo çfarë u fsheh pas bllokadës në fillim të fshatit, doli të jetë shumë më e rrezikshme sesa paraqitej në fillim.

Pjesëtarët e grupit u strehuan në Manastir. Në dhe për rreth objekteve të tij vendosën armatimin e rëndë e brenda objektit të kultit bllokuan dhjetëra zyrtarë e pelegrinë.

Thirrjeve të vazhdueshme të policisë për t’u dorëzuar, terroristët iu përgjigjën me të shtëna zjarri e hedhje granatash. Përballja e armatosur vazhdoi pothuajse gjatë gjithë ditës së diel. Tre sulmues u vranë dhe dy u plagosën.

Njëri nga dy të arrestuarit u konfirmua si pjesëtar i organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, ndërkaq njëri nga të vrarët ishte truprojë e shefit të BIA-s, Aleksandar Vulin.

Situata u qetësua paksa pasdite, kur institucionet e sigurisë njoftuan se kanë nën kontroll zonën e Manastirit, dhe konstatuan se civilët brenda tij janë të sigurt.

Njërit prej të arrestuarve, që ishte i plagosur, iu ofrua ndihma e parë, fillimisht në Mitrovicë e më pas edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në kryeqytet.

Sulmuesit gjetën rrugë për t’u arratisur për në Serbi. Por lanë pas arsenal të madh ushtarak, që të nesërmen u ekspozua në hapësirën e kampit të Policisë në veri. Hapësira e tij u mbush me autoblinda, automjete, motorë, mina, zolla, predha minahedhëse, granata, eksplozivë, armë të kalibrit të rëndë, mitraloza, karikatorë për AK47, antiplumba, municion të kalibrit të ndryshëm, dylbi, radiolidhje, kamera, uniforma ushtarake, harta, telefona e gjësende dhe pajisje të tjera.

Në to, dëshmi u gjetën edhe për përfshirjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Kjo përfshirje u faktua më vonë edhe me pamje të xhiruara nga droni.

Të hënën, me nderime të larta shtetërore, u varros rreshteri Afrim Bunjaku i vrarë nga grupi terrorist. Veprën e tij e nderuan edhe diplomatë të akredituar në Kosovë.

Operacioni i institucioneve të rendit vazhdoi për tri ditë me radhë. Lokacione të ndryshme u bastisën e armë të shumta u sekuestruan.

Kosova shpalli ditë zie për rreshterin e vrarë, e vajtimin e sulmuesve terroristë e bënë në Listën Serbe. Ditë zie për sulmuesit u shpall edhe në Serbi.

Ngjarja nxiti reagime të forta. Vendosjen e sulmuesve para drejtësisë e kërkuan Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vendet e QUINT-it.

Pas mesditës, sulmi u dënua edhe nga Bashkimi Evropian. E, tek në reagimin e dytë, sulmi u kualifikua terrorist.

Me gjithë zhvillimet e dëshmitë e prezantuara, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, fajtor bëri kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e edhe bashkësinë ndërkombëtare.

Me kalimin e ditëve nga sulmi, situata nisi t’u kthehej ditëve të zakonshme, ndonëse me prani të shtuar policore. Por, gjurmët e përballjes së armatosur mbetën. Në tokë vazhdojnë të jenë gëzhojat.

Dëmet në autoblindat e Policisë e në objekte të Manastirit janë dëshmi tjetër e këtij konfrontimi.

Qetësimi i situatës për pak ditë ktheu sytë diku tjetër – te gjetja e fajtorit.

Autoritetet kosovare janë të bindura se pas sulmit të së dielës qëndron shteti serb, e ndërkombëtarët insistojnë të zbardhet e gjithë ngjarja dhe këtë ia kërkuan edhe Serbisë.

Policia të premten bastisi disa lokacione në veri, kryesisht prona të të dyshuarit për udhëheqjen e sulmit terrorist, Milan Radoiçiq. Nga to u sekuestruan automjete luksoze, të ndodhura kryesisht në vilën e re të tij buzë Liqenit të Ujmanit.

Derisa në Kosovë operacioni policor ishte në përmbyllje, nga arratia në Serbi u lajmërua Radoiçiq. Me një letër pranoi se udhëhoqi sulmin në Banjskë.

Letrën e lexoi avokati i tij. U përpoq të shkëpuste çdo lidhje që mund t’u bëhej Serbisë e autoriteteve të saj me sulmin e tij. Dha dorëheqje edhe nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Por Kosova vazhdon të mbetet cak i kërcënimit nga fqinji verior. Tek pas paralajmërimit ndërkombëtar për ndëshkim, Serbia nisi t’i tërheqë forcat e shtuara ushtarake përgjatë gjithë kufirit.