Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ditën kur u sulmua Policia e Kosovës.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij Goran Petronijeviq, në një konferencë të mbajtur të premten në Beograd.
"E informoj publikun e gjerë se së bashku me bashkëkombësit e mi nga veriu i Kosovës, më 24 shtator 2023-s, kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte që ta trimërojmë popullin serb nga ky rajon, në ofrimin e rezistencës ndaj terrorit të regjimit të Kurtit, mbrojtjes së popullit tonë që këtij terrori i është nënshtruar për çdo ditë dhe për krijimin e kushteve për përmbushjen e ëndrrës së çlirimit të popullit tim në veri të Kosovës”, ka thënë Petronijeviq.
Ai në këtë letër ka thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjen e asaj dite.
"I informoj të gjithë përndjekësit kujdestarë të popullit serb, nisur nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë ndërkombëtarë, se i kam kryer personalisht të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë nga okupatorët dhe ky akt i imi nuk ka pasur kurrfarë karakteri e as qëllimi tjetër, dhe nuk ka kurrfarë lidhje me angazhimin tim më të hershëm politik", thuhet në letrën e Radoiçiqit, të cilën e ka lexuar avokati.
Sipas Petronijeviqit, që fliste në emër të Radoiçiqit, vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte "aksidentale", pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.
Sipas letrës së Radoiçiqit, të lexuar nga avokati, ai pretendon se për sulmin nuk kanë pasur dijeni as strukturat qendrore në Serbi e as ato lokale në veri të Kosovës. Radoiçiqi në letër thotë se "as nuk ka kërkuar ndihmë prej tyre".
Avokati ka thënë se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.
"Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terror", ka thënë Petronijeviq duke lexuar letrën e Radoiçiqit.
Nga përleshja mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur të dielën në Banjskë të Zveçanit, mbetën të vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati publikuar një video në të cilën Radoiçiq shihet se ishte pjesë e grupit që kryen sulm të armatosur në Banjskë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se Radoiçiqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe "për të mos dëmtuar më tej këtë parti".
Gjatë ditës së sotme, autoritetet e Kosovës kanë kryer bastisje në pronat luksoze në veri që dyshohet se i përkasin Radoiçiqit.
Radoiçiqi është në “listën e zezë” të SHBA-së. I ndalohet hyrja dhe të bëjë biznes në SHBA. Ai u vendos në listë për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar transnacional.
Letra e plotë e Radoiçiqit
"Unë Milan Radoiciq, me baba Rajkon, i lindur më 1978, në Pejë të Kosovës e Metohisë, në Republikën e Serbisë.
Për shkak të spekulimeve të shumta që janë paraqitur me këtë rast, e informoj publikun e gjerë se së bashku me bashkëkombësit e mi nga veriu i Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023, kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte që ta trimërojmë popullin serb nga ky rajon, në ofrimin e rezistencës ndaj terrorit të regjimit të Kurtit, mbrojtjes së popullit tonë që këtij terrori i është nënshtruar për çdo ditë dhe për krijimin e kushteve për përmbushjen e ëndrrës së çlirimit të popullit tim në veri të Kosovës e Metohisë.
I informoj të gjithë përndjekësit kujdestarë të popullit serb, nisur nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë ndërkombëtarë, se i kam kryer personalisht të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë nga okupatorët dhe ky akt i imi nuk ka pasur kurrfarë karakteri e as qëllimi tjetër dhe nuk ka kurrfarë lidhje me angazhimin tim më të hershëm politik.
Për këtë nuk e kam informuar askënd, as nga strukturat qeverisëse të Qeverisë së Serbisë e as nga strukturat lokale të veriut të Kosovës, e as që prej tyre e kam pasur ndonjëfarë ndihme, ngase kemi pasur qëndrime të ndryshme për sa u përket metodave të deritanishme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit.
Pasi që populli, në shumë raste, i bëri rezistencë regjimit të Kurtit, për shkak të nënshtrimit me arsye politike për qetësimin e situatës, në disa rrethana jemi tërhequr pa realizimin e rezultateve të dukshme, ngase na është thënë se në këtë mënyrë do t’i kontribuojmë deeskalimit dhe se KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare do të ndërmarrin krejt çfarë është e nevojshme në mbrojtje të popullit serb.
Megjithëkëtë, këtë mënyrë tonën të qetësimit të situatës, pala tjetër nuk e kuptoi si vullnet të mirë dhe si krijim të kushteve për bisedime, porse si dobësi. Si rezultat i kësaj, nga dita në ditë janë forcuar aktivitetet e forcave të Kurtit, të cilat në mënyrë joligjore e kanë okupuar veriun e Kosovës, në aspektin e shtënies e rrahjes së civilëve, arrestimeve të paarsyeshme, demonstrimit të forcës dhe frikësimit të popullit serb.
Thjeshtë, të gjitha këto metoda të rezistencës që deri më tani janë zbatuar, nuk kanë ndikuar në kurrfarë përmirësimi e jetës së popullit serb, por përkundrazi, në forcimin e burtalitetit të regjimit të Kurtit. Në një mjedis të tillë, vendosa për këtë akt, ngase Kosova e Metohia është vendi im, shtëpia ime, pjesë përbërëse e shtetit tim të Republikës Serbe, dhe dhunshëm prej nesh po rrëmbehen e populli serb po dëbohet me synimin përfundimtar që Kosova etnikisht të spastrohet tërësisht nga serbët.
Për këtë arsye kemi qenë të detyruar që të tentojmë ta ndalojmë dënimin e popullit serb dhe t’i mbrojmë jetët e familjeve e bashkëqytetarëve tanë dhe që njëkohësisht t’ua tërheqim vëmendjen regjimit të Prishtinës, bashkësisë ndërkombëtare se një terror të këtillë të Kurtit, populli serb më nuk do ta durojë.
Vdekja e policit ndodhi rastësisht, pas çka nisi një përleshje e ashpër mes dyja palëve, në të cilat vdiqën tre miqtë tanë, heronj, të cilët jetët e tyre i dhanë për lirinë dhe ruajtjen e Kosovës e Metohisë. Flijimi i tyre fisnik kurrë nuk do të harrohet.
Le ta kenë të gjithë të qartë se nuk jemi kurrfarë terroristësh, por luftëtarë për lirinë e popullit tonë. E theksoj edhe njëherë se kthimi im në Kosovë më 24 shtator të 2023-s nuk ka pasur kurrfarë lidhjesh me aktivitetin tim të mëparshëm politik në kuadër të Listës Serbe, e njëashtu, me këtë rast, e njoftoj publikun se jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe. Jam i gatshëm që në lidhje me këto ngjarje t’u përgjigjem thirrjeve të organeve kompetente të Republikës së Serbisë. Rrnoftë Serbia!".