Arbëri

Familjarët e policit të vrarë: Të vdesësh për atdhe, sikur të rilindësh përsëri

Familjarët e policit të vrarë të dielën në Banjskë të Zveçanit, Afrim Bunjaku, kanë thënë se rreshteri është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.

Në reagimin e familjarëve thuhet se Bunjaku e ka kryer detyrën e tij me nder dhe krenari deri në fund.

“Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri. Familjari jonë, Afrim Bunjaku, rreshter në Policinë e Kosovës është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në veriun e Kosovës, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit gjë të cilën e bëri me nder e krenari deri në frymën e fundit”, thuhet në reagimin e familjes.

Një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Mitrovicës së Veriut. Një tjetër polic është plagosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook ka bërë të ditur se policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë rreth orës 3 të mëngjesit, ndërsa si pasojë e sulmit rreshteri policor A.B. ka mbetur i vdekur, kurse është plagosur një polic kufitar.