Arbëri

Situata në veri, ngrihet gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore

Klinika Emergjente në QKUK

Shërbimi Spitalor, Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se është ngritur gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore të Kosovës si pasojë e zhvillimeve të fundit në veri.

Në sulmin në fshatin Banjskë në mëngjesin e të dielës ka mbetur i vdekur një zyrtar policor, ndërsa është plagosur një tjetër.

SHSKUK ka thënë se është ngritur gjendja e gatishmërisë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme.

“Pas ngjarjeve të ndodhura në Leposaviq, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme. Gatishmëria është ngritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë”, thuhet nga SHSKUK-ja.

Po ashtu është thënë se policët e trajtuar janë jashtë rrezikut për jetë.

“Njëkohësisht, ShSKUK njofton se mbrëmë mjekët e Spitalit të Mitrovicës dhe pastaj ata të QKUK-së, kanë trajtuar policët e plagosur të cilët pas ekzaminimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve të nevojshme janë jashtë rrezikut për jetë. ShSKUK shpreh ngushëllime të thella për familjen e policit të vrarë dhe të plagosurve ju uron shërim të shpejtë!” – thuhet nga SHSKUK.