Arbëri

Radojiçiq - Kurtit: Koha do të tregojë kush do të paguajë në fund

Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, dhe i njohur si kapo i veriut të Kosovës e që është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, me anë të një komunikate i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se “koha do të tregojë se kush do ta pësojë dhe do ta paguajë në fund”.

Kështu është shprehur ai pas takimit të së enjtes të nivelit të lartë politik në Bruksel, ku më tej e ka quajtur Kurtin pushtues.

“Kërcënimi që i dërguat sot Listës Serbe nga Brukseli dhe në radhë të parë popullit serb, tregon qartë se ju Albin Kurti nuk doni dialog, nuk doni paqe, por doni konflikte dhe hakmarrje ndaj atyre që nuk mund t'i blini apo thyeni. Dhe prandaj e shfaqët fytyrën tuaj të vërtetë para syve të të gjithë komunitetit ndërkombëtar sot”, ka thënë Radojiçiq.

Sipas tij, Kurti po kërcënon, megjithatë nuk mund ta frikësojë as Listën Serbe e as popullin serb në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm se kërcënimi juaj nuk është naiv sepse në të kaluarën keni treguar se mund të shkaktoni kaos, të nxisni konflikte dhe urrejtje, të abuzoni me institucionet, dua t'ju them se na frikësoni as ne në Listën Serbe, as populli serb”, ka shtuar ai.

Millan Radoiçiq bashkë me Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq - të gjithë serbë nga Kosova - janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së e më vonë edhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Radoiçiq ka lidhje edhe me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.