Arbëri

Arrestohet Rrustem Mustafa – Remi

Është arrestuar ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi.

Arrestimin e tij e kanë konfirmuar për RTK familjarët e Rrustem Mustafës.

Sipas familjarëve, ish-komandanti i UÇK-së është dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë.

Para dy muajsh, Rrustem Mustafa kishte përfunduar dëshminë e tij në Hagë. Mustafa pati thënë se për të ka qenë shumë e rëndë ndjesia të ketë përballë bashkëluftëtarët e tij me akuza të padrejta.

Sipas tij, asnjë shpifje ndaj UÇK-së, nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi.

Remi kishte nisur dhënien e dëshmisë së tij në Hagë, para dy muajsh. Ai ishte dëshmitari i parë që ka dalë publikisht në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, pasi të gjithë të tjerët kanë qenë me masa mbrojtëse.

Ndërkohë zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Chris Bennett, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se “ZPS-ja nuk komenton në hetimet e saja”.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se pritet që komandant Remi të lirohet shumë shpejt.