12:36 – Përfundon bastisja e banesës së familjarëve të Bahri e Fahri Fazliut
Ka përfunduar aksioni i EULEX-it dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, që është zhvilluar në banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu. Fadil Fazliu pas përfundimit të aksionit, ka thënë se i është konfiskuar një telefon, një laptop dhe se të birit, Gëzimit, i është konfiskuar një telefon.
Lidhur me versionet e ndryshme të tij dhe të avokatit Qerkini për atë që është konfiskuar, KOHA e ka pyetur Faziun, por ai ka insistuar se krejt i ka thënë në konferencë për media dhe se nuk është marrë ndonjë dokument por vetëm dy telefonat e një laptop.
Ndërkaq, për dokumentet që janë konfiskuar Qerkini gjatë konferencës për media ka deklaruar se janë publike e megjithatë nuk mund të flasë më shumë lidhur me to për shkak se do ta shkelte fshehtësinë e procedurës.
Avokati Qerkini ka thënë se i qëndron asaj që e ka thënë në konferencë për media dhe se nenet e Ligjit për Dhomat e Specializuara i japin obligime shtesë lidhur me konfidencialitetin e hetimeve, edhe më të mëdha sesa obligimet që i kanë familjarët që janë bastisur gjatë ditës.
Të hënën është zhvilluar një bastisje në banesën e tyre në lagjen “Bregu i Diellit.
11:48 - Vazhdon bastisja, flet nipi i vëllezërve Fazliu
Fahri Fazliu, nipi i heronjve të luftës, Fahri e Bahri Fazliu, ka folur për bastisjen në familjen e tyre nga EULEX-i dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar.
Ai ka deklaruar se bastisja e nisur në orën 07:00, po vazhdon edhe më tutje, derisa tha se nuk e dinë ende arsyen.
“Para rreth një orë kam kontaktuar avokatin Artan Qerkinin dhe më ka njoftuar se po bastiset banesa ku rrinë vëllai i heronjve, Fadil Fazliu...Më ka thënë se nuk di asgjë më shumë, arsyeja s’dihet pse, po presim kur të dalim. Bastisja ka nisur rreth orës 7së mëngjesit, s’jam lejuar të futem brenda. Të tjerët janë të mbyllur në banesë. Telefonat i kanë të gjithë të mbyllur”, ka deklaruar ai.
Avokati Qerkini ka shtuar para mediave se bastisja është e kotë, derisa tha se kanë marrë dokumente publike dhe “s’kanë kërkuar asgjë konkrete”.
“Gjykata duhet të jetë më e kujdesshme kur lëshon urdhra për bastisje sepse cenohet privatësia. Nuk kanë sekuestruar asnjë provë. Rasti nuk është bërë i ditur, vetëm është thënë se për nevoja të procedurave nga Dhomat e Specializuara. Nuk kanë kërkuar asgjë specifike, kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, pra nuk ka pasur nevojë të bastiset fare. Prandaj thashë që bastisja ka qenë e kotë”, ka thënë ai.
Fahri Fazliu, nipi i heronjve të luftës, kishte marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale për intervistim, ndonëse ishte shprehur se në kohën e luftës ka qenë vetëm 8-vjeçar.

Pjesëtarët e EULEX-it dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, janë duke kryer bastisje në Prishtinë.
Bastisja ka nisur në orët e mëngjesit dhe po vazhdon në banesën e tyre në lagjen "Bregu i Diellit".
Lajmin e bëri të ditur Fahri Fazliu, nip i dëshmorëve. Prezent është edhe avokati Artan Qerkini.