Gjykata Komerciale e ka miratuar kërkesën e Grupit KOHA, duke e pezulluar vendimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për mbylljen e rrugës së vetme që e siguron qasjen e automjeteve të medies kombëtare në objekt. Vendimi u mirëprit nga shoqëria civile dhe nga Radio Kosova, që njashtu e ka objektin në rrugën te hapësirat e UP-së dhe Bibliotekës Kombëtare. E në Komunë thanë se ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht vendimin e Gjykatës
Gjykata Komerciale e ka miratuar kërkesën e Grupit KOHA, për ta pezulluar vendimin e Komunës së Prishtinës, që parasheh mbylljen e tri rrugëve të kryeqytetit, nga 1 shtatori.
Pezullimin e vendimit, Grupi KOHA e ka kërkuar me anë të padisë, pasi që mbyllja e rrugës dhe rrugicave te hapësirat e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare do ta pamundësonte qasjen me automjete të medies kombëtare në hapësirën ku e ka redaksinë.
Në aktvendimin me të cilin është miratuar kërkesa, Gjykata ka konstatuar se ekzekutimi i vendimit do të prodhonte pasoja financiare për paditësin.
“Gjykata Komerciale ka vlerësuar se ekzekutimi i vendimit kundërshtues, paditësit do t’i sillte dëm vështirë të riparueshëm, pasi që ekzekutimi i vendimit do t’ia pamundësonte paditësit/propozuesit qasjen direkte në objektin e punës me veturat zyrtare të Grupit KOHA, e që do të shkaktonte çrregullime dhe vështirësi të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në funksionimin dhe ushtrimin e aktivitetit të rregullt të paditësit për marrjen e informacionit dhe informimit të publikut”, thuhet në aktvendim.
Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, ka theksuar se vendimi i hap rrugë dialogut ndërmjet të gjitha palëve të prekura nga vendimi i Komunës.
“Për zgjidhjen e një problemi shumë serioz, kemi zgjedhur, si përherë, rrugën e ligjit. Ky vendim është i duhuri. E hap shtegun e dialogut ndërmjet të gjitha palëve të prekura nga ky vendim dhe autoriteteve komunale, për gjetjen e zgjidhjes optimale që nuk do ta çrregullojë funksionimin e asnjërit subjekt”, ka shkruar Surroi në llogarinë e saj në Facebook.
Vendimi është mirëpritur edhe nga menaxhmenti i Radio Kosovës, mediumit tjetër kombëtar që gjithashtu operon në objektin e njëjtë ku është i vendosur Grupi KOHA – atë të ish-Radio Prishtinës që ndodhet nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka shprehur gatishmërinë për diskutim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për gjetjen e zgjidhjeje që nuk e cenon punën e mediumeve.
“Ne jemi të hapur për diskutim me kryetarin e komunës së Prishtinës për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që nuk e cenon funksionimin e mediumit publik dhe dy medieve të tjera, punën e gazetarëve dhe interesin e publikut për të qenë i informuar. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në këtë drejtim për moskeqpërdorimin e hapësirës së kampusit universitar dhe krejt çka kërkojmë është qasja rrugore për të qarkulluar ekipet tona”, ka thënë Halili.
Vendimi i Ramës ishte kualifikuar si i jashtëligjshëm edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e i cili e deponoi kërkesën në gjykatë në emër të Grupit KOHA.
Arrita Rezniqi, hulumtuese në këtë Institut, ka thënë se vendimi ishte i pritshëm.
“Në kërkesën e parashtruar, ne kemi argumentuar dëmin që do t’i shkaktohej Grupit KOHA, faktin se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik, por përkundrazi dëmtimi i një mediumi përmes kufizimit të qasjes në objektin e vet, vetëm sa e cenon interesin publik duke pamundësuar funksionimin e duhur dhe rrjedhimisht cenimin e informimit të publikut. E po ashtu se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk i shkakton dëm as Komunës, meqë një vendim i tillë nuk reflektohet në asnjë pengesë të kryerjes së detyrave apo zhvillimit të veprimtarisë ose funksionimit normal të kryeqytetit”, ka theksuar Rezniqi.
E Alban Zogaj, nënkryetar i Komunës, ka thënë se nuk mund të komentojë për rastin, pasi ende nuk e ka pranuar zyrtarisht vendimin e Komerciales.
Gjykata e shtyu në tërësi ekzekutimin e vendimit të Komunës, duke i përfshirë edhe rrugët “Qamil Hoxha” dhe “Rexhep Luci”.
Mbylljen e rrugës “Rexhep Luci” të premten e kundërshtuan banorët. Kjo rrugë mbeti e mbyllur për qarkullim edhe të shtunën.