Arbëri

Thaçi lirohet për ta vizituar babanë në Kosovë

Ish-presidenti Hashim Thaçi

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur që ish-presidentit, Hashim Thaçi, t’i mundësohet lirimi i përkohshëm për ta vizituar në Kosovë babanë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Siç ka konfirmuar Gjykata në Hagë, vendimi është marrë për “arsye humanitare”.

“Trupi Gjykues për arsye humanitare ka udhëzuar Sekretarinë që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë, për takimin e Hashim Thaçit me familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe nën përcjelljen e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales për KOHËN.

Bëhet e ditur se Thaçi do të jetë nën përcjellje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në vizitën që do t’ia bëjë babait.

Në maj sivjet, Thaçit i ishte mundësuar vizita në Kosovë për shkak të gjendjes së rënduar të nënës së tij.