Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka quajtur qesharake deklaratat e partive opozitare për Besnik Mujecin, i cili u kap në Tiranë me 11 mijë doza drogë që kapin shumë rreth gjysmë milioni euro.
Haxhiu në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se as PDK-ja e as LDK-ja nuk kanë fakte për ato që deklaruan.
“Sa i përket akuzave të opozitës mua më duken qesharake sepse në momentin kur nuk beson as vet në atë që e thua është shumë problem të të besoj dikush tjetër. Ne konsiderojmë se akuza të tilla bëhen kur nuk ke fakte dhe vetëm tenton t’u hedhësh hi syve të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka lidhur këtë rast me bërjen aksionar të tij në Stacionin e Autobusëve. Ai ka thënë se Mujeci ishte bërë aksionar aty pikërisht për shkak të linjave të autobusëve që të bartnin narkotikë. Të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe PDK-ja.
Ministrja Haxhiu ka pohuar se Mujeci ka qenë në këtë ndërmarrje, por ka mohuar se ka pasur ndonjë lidhje me bartjen e drogës që ka kryer ai. Ajo veprimet e Mujecit ka thënë se janë përgjegjësi individuale të tij.
“Personi në fjalë ka qenë asamblist i VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Grupi i asamblistëve i përzgjedh aksionarët nëpër ndërmarrje të ndryshme në Komunën e Prishtinës. Mujeci ka qenë në ndërmarrje. Nëse prokuroria që duhet të hetohet mënyra si ka mbërri droga atje, sigurisht se do ta bëj atë. Por asnjë ndërlidhje më të vogël nuk ka me dërgimin e tij në këtë bord dhe me veprimin e tij që po dyshohet se e ka bërë. Prandaj janë akuza qesharake. Pashë konferencën e PDK-së, janë qesharakë, me vendosë kryeministrin Kurti, se gjithçka duan ta lidhin me Kurtin sepse hallin e kanë te mbështetja e madhe që ka Kurti nga qytetarët. Përgjegjësia është individuale dhe do ta marrë dënimin që i takon sipas Kodit Penal”, ka thënë Haxhiu.