Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për arrestimin e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, i cili u kap në Tiranë me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me peshë prej mbi 5.090 kilogramë në vlerë rreth 400 mijë euro.
Abdixhiku ka thënë se ishte pikërisht Mujeci për të cilin Lëvizja Vetëvendosje insistonte ta bënte aksionar në Stacionin e Autobusëve.
Ka shkruar se muaj më parë, “Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit”.
Sipas tij, kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë “ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë”.
“Synim asokohe - ndër të tjerash - ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusëve të kryeqytetit. Sot, teksa një asamblist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë - Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asamblist - pikërisht këtë pra - si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, pazaret e tilla duket se kanë pasur një qëllim më të thellë “prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë”.
Ai ka ftuar Prokurorinë e Shtetit të hetojë njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe siç ka thënë mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.
“Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën”, ka shkruar ai.
Vetëvendosje dhe partitë tjera opozitar në Prishtinë në fillim të qershorit patën caktuar aksionarët e rinj të ndërmarrjeve publike, duke e caktuar Mujecin aksionar në ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”. Më pas pushteti, LDK-ja dhe PDK-ja, patën anuluar vendimet e opozitës. Megjithatë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka shpallur të pavlefshme vendimet e pushtetit duke kthyer në fuqi vendimin e opozitës.