Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka reaguar për tubimin që u mbajt në fundjavë në Çair e Tetovë, e në të cilën mysafir ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pendarovski ka thënë se “theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste paraqet ndezje të urrejtjes e jotolerancës etnike, e sulmon vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”.
Ai ka bërë thirrje që organizatorët e tubimeve në Tetovë e Çair të sanksionohen ligjërisht.
“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë e Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e disapozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëtor dhe flamujve e simboleve të komuniteteve, duke injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëjë thirrje organeve kompetente që sa më parë të kryejnë procedurat e parapara”, ka shkruar Pendarovski në Facebook.
Po ashtu Pendarovski ka reaguar edhe me riemërtimin e një rruge në Çair me emrin e Adem Demaçit.
“Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit, bie ndesh me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në shtet. Në këtë kuptim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse është respetuar parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, ku duhen të përfshihen edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, tha Pendarovski.