Kritika të shumta i janë adresuar kryeministrit Albin Kurti, një ditë pas vizitës në Maqedoninë e Veriut. Përfaqësues të partive opozitare e kualifikuan si përçarës të shqiptarëve, pasi gjatë qëndrimit në Tetovë e Çair, ai pati takime vetëm me zyrtarë të partive opozitare, e jo edhe me ata të partisë shqiptare në pushtet, BDI
Si përçarës i shqiptarëve në rajon është parë kryeministri Albin Kurti, nga përfaqësuesit e partive opozitare në vend dhe nga analistë, pas vizitës së tij në Maqedoni të Veriut, një ditë më parë.
Ata i kualifikuan si demonstrim të mosrespektit takimet që ai i zhvilloi me përfaqësuesit e dy partive opozitare, por jo edhe me ata të partisë më të madhe të shqiptarëve, Bashkimi Demokratik për Integrim.
Më i ashpri në kritikë ishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Të dashur bashkëkombas shqiptarë në Maqedoni të Veriut, mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës. Pasi nuk mund t'i gënjejë më kosovarët, paska ardhur t’ju mashtrojë për rrugën Tetovë-Prizren. Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë. As ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”, ka thënë Haradinaj.
E Andri Nurellari, anëtar i kryesisë së PDK-së, tha se me vizitën e realizuar në Maqedoninë e Veriut, por edhe më herët në Shqipëri, Kurti ka bërë ndërhyrje në çështjet e brendshme të shqiptarëve në rajon.
“Ai po ndërhyn në mënyrë të paprecedent në çështjet e brendshme të shqiptarëve të shteteve fqinje. Nga kryeministri i Kosovës pritet që të punojë për unifikimin e shqiptarëve e jo për t’i përçarë ata. Njëherazi kjo sjellje e papërgjegjshme dëmton raportin e Shkupit dhe Tiranës zyrtare me Prishtinën, gjë që është në dëm të Kosovës”, ka thënë Nurellari.
Për përçarje të shqiptarëve, kryeministri u akuzua edhe nga zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.
“Pasi e ndau në dysh shoqërinë kosovare, tentoi në Shqipëri, por dështoi. Në Preshevë, për një këshilltare, shqiptarët i bëri pik e pesë, tash ua ka mësy edhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Albin Kurti nuk e ka ndërmend të merret me problemet jetësore të qytetarëve të Kosovës, duke pretenduar të shndërrohet në figurë historike të shqiptarëve, sipas ambicies së tij populiste”, ka thënë Halimi.
Por analistit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Albert Musliu, nuk beson që vizita e kryeministrit të Kosovës ka për qëllim favorizimin e partive opozitare shqiptare në këtë vend.
“Nëse do të ishte te favorizimet, kryeministri Kurti sigurisht se do t’i artikulonte ato nëpërmjet fjalëve. E dëgjova intervistën e Kurtit, ato ishin deklarime që ishin relativisht neutrale, s’kishin të bënin me favorizime. Pas bashkimit të opozitës së partive politike shqiptare në Maqedoni, se a do të ketë përafrime me Vetëvendosjen e kryeministrin Kurti, atë do ta shohim. Nuk hetova te intervistat e kryeministrit Kurti një gjë të tillë”, ka deklaruar Musliu.
Në kuadër të vizitës të së premtes në Maqedoninë e Veriut, Kurti qëndroi në Tetovë dhe në Çair, dy komuna me shumicë shqiptare, ku ka marrë pjesë në përurime dhe emërtime të rrugëve.