Arbëri

Politikanët perëndimorë letër BE-së e SHBA-së, kërkojnë qasje më të ashpër ndaj Serbisë

Politikanët kryesorë nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, që të kenë qasje më të ashpër ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata kanë bërë thirrje të reagohet ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, raporton “Tagesspiegel”.

“Përpjekjet e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovës duhet të dënohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon t’i minojë zgjedhjet e lira dhe fer”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly.

Këtë letër e ka nënshkruar edhe kryetari i politikës së jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, Michael Roth nga radhët e SPD-së dhe senatori amerikan Bob Menedez.

Në këtë letër janë nënshkruar edhe kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Britanisë e Çekisë, Ukrainës, Irlandës, Estonisë dhe Lituanisë.

Është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të merren mësime nga e kaluara dhe të mos ndiqet politikë ku qendër në Ballkan është Beogradi.

“Qasja nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtarë të mësojë nga e kaluara dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politike ku në qendër në Ballkan është Beogradi. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës”, thuhet në letër. “Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përmes kufirit Serbi – Kosovë, nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm. Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizë aktuale”.

Në letër politikanët perëndimorë kanë bërë thirrje të kthehet ekuilibri në proporcionaliteti në marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës për sulmet ndaj forcave të KFOR-it, tregojnë mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike”, është shkruar në letër.

Është shprehur shqetësimi për afrimin e mundshëm të Beogradit me Moskën.

“Qeveria e Vuçiqit nuk po merr pjesë në sanksionet ndaj Moskës.

Letra e plotë:

Ne po ju shkruajmë për të ngritur shqetësimet tona për politikën aktuale të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Ne besojmë se ngjarjet dhe krizat e fundit kanë nxjerrë në pah të metat në qasjen tonë kolektive dhe kërkojmë që ajo të shqyrtohet.

Ndërsa fokusi ynë duhet të mbetet në normalizimin e marrëdhënieve dhe rrugën e vazhdueshme euro-atlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, trazirat e fundit kërkojnë që të gjitha palët të ripërqendrohen në de-përshkallëzimin e situatës.

Bojkoti i zgjedhjeve komunale nga serbët e Kosovës më 23 prill, sulmi i mëvonshëm ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj dhe ndalimi arbitrar i policëve kosovarë nga autoritetet serbe më 14 qershor, të gjitha tregojnë drejt një përkeqësimi të shpejtë të situatës, e cila jo vetëm që kërcënon dialogun Beograd-Prishtinë por vet paqen rajonale. Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përtej kufirit Serbi-Kosovë nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimeve të mëtejshme.

Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën tonë politike-kolektive ndaj krizës aktuale. Përpjekjet për të prishur procesin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë nga Serbia duhet të kritikohen publikisht, për t'i mbajtur ata përgjegjës nëse vazhdojnë të minojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme me pjesëmarrje të plotë nga të gjitha komunitetet e pranishme në komunat veriore. Ne duhet të ushtrojmë diplomaci parandaluese që kriza aktuale të zgjidhet, dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të japë rezultate pozitive dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të respektohet.

Ne kërkojmë që të kthehet ekuilibri dhe proporcionaliteti në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë.

 Kosova është përballur me pasoja të rëndësishme pas përpjekjeve të kryetarëve të komunave për të hyrë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimin. Por mungesa e presionit të ushtruar ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj KFOR-it, nxjerr në pah mungesën aktuale të paanshmërisë.

Ne vërejmë sanksionimin e fundit nga qeveria amerikane të kreut BIA-s, Aleksandar Vulin.

 Qasja aktuale nuk funksionon. Ne do të kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos miratojmë një politikë ku qendër e Ballkanit është Beogradi. Ne gjithashtu kërkojmë që të konsideroni miratimin e një politike që parandalon përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë dhe të politikës në veri të Kosovës.