Arbëri

Hiqet guri përkujtimor i Nanë Pashkes, përfshihen institucionet

Guri përkujtimor i Pashke Markut, nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë, është hequr pasditen e së enjtes nga një pronë private në Korenicë të Gjakovës. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga studiuesi e shkrimtari Ag Apolloni, ndërsa më pas është konfirmuar nga familjarët e Markut. Ministria e Kulturës ka dërguar autoritetet në vendngjarje. Nuk ka përgjigje të prerë nëse do të kërkojë që guri – për të cilin s’ka pasur ndonjë nismë që të mbrohet si monument – të kthehet. Policia ka njoftuar se nuk është iniciuar rast.

Apolloni në lajmërimin e tij ka thënë se guri është hequr nga pronari i tokës. Ai ka kërkuar nga autoritetet ta kthejnë gurin ku ka qenë, ndërsa ka thënë se ekzistojnë dyshime se heqja e gurit është bërë për arsye fetare e politike.

“Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngrihet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkes e ka siguruar që nuk do të ngrihet asnjë kishë aty) dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqyer që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare”, ka shkruar Apolloni në Facebook.

Ai i ka bërë thirrje pronarit të tokës ta kthejë gurin në vendin e vet.

Nipi i Pashke Markut, Liridoni, në një deklaratë për KOHËN, ka thënë se pronari i tokës ka tre vjet që ka bërë kërkesë me e heqë gurin me arsyetimin se aty familja e nanës Pashke dëshiron të ndërtojë kishë. Sipas nipit të Pashke Markut, zotimi i familjes së tij ka qenë që në fillim se s’do të bëhet asgjë përtej gurit.

“Më 2003, më 27 maj nana Pashke është vetëflijuar. Në vitin 2004, kushërinjtë e nanës Pashke prej Strellcit e kanë nxjerrë atë gur prej bjeshke edhe i kanë thanë baçit (babait tim) se po duam ta sjellim atë gur për nënën Pashke, ku e ka djeg veten. E kemi thirre zotin Hasan i kemi thanë ‘a ka mundësi me e vu një gur në tokën tënde, me na shitë sa të thuash ti atë pjesë’. Ka thonë ‘s’vjen në shprehje me e shitë, kjo është më e pakta që mundem me e bë për veprën e nanës Pashkë’. Edhe i ka thanë baci veç atë gur dhe asgjë tjetër. As edhe një pllakë s’e kemi qitë se kemi dashtë me mbajt fjalën që të jetë vetëm ai gur”, ka thënë Liridon Marku. “Qe tri vjet, i ka bë kërkesë bacit me e heq gurin me arsyetimin se po doni ta bëni një kishë aty. Baci i ka thënë se kam premtuar dhe premtoj prapë se aty as edhe një send s’do të vihet përtej atij guri”.

Marku ka thënë se intensiteti i kërkesës për heqje të gurit është rritur javëve të fundit, pasi vendi u vizitua nga kryeministri Albin Kurti, në 20-vjetorin e vdekjes së nënë Pashkes.

“Me datën 19 e ka thirr babën në mbrëmje në telefon dhe i ka thanë me e hekë gurin. I ka thanë baci heke. Ai ka thënë këto dy javë do ta heq. Baci ka thënë se pasi s’po ma shet s’ka çka të bëjë. Të nesërmen i kanë çuar bagerat dhe e ka hekë”, ka thënë Marku, që ka shtuar se në vendin e ngjarjes të afërmve të tij u është thënë se “na keni sjellë Albin Kurtin pa na pyet në pronë”.

Ai është shprehur se familja e ka përjetuar rëndë ngjarjen.

“Në bazë të reagimeve s’e kanë përjetuar mirë as qytetarët e Kosovës. Nana Pashke u kon nana e familjes deri më 27 maj 2003, pas kësaj ka qenë nana e krejt shqiptarëve e krejt Kosovës”, ka thënë ai.

Ka shtuar se familja s’do të bëjë asnjë veprim. Ai ka thënë se punimet janë ndalur të enjten nga Policia, por se guri është hequr dhe është bërë gati për t’u larguar me kamion.

Marku ka treguar se në vendin e ngjarjes të premten janë marrë shënime edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës.

Në MKRS, kanë thënë se kanë kërkuar që të ndërmerret masa e sigurisë deri në veprimet tjera, edhe pse memoriali nuk është në mbrojtje. Zëdhënësja Zana Fetiu ka thënë për KOHËN se presin që ekipet në terren të dalin shumë shpejt me një raport.

“Përkundër që ky memorial nuk është në mbrojtje dhe nuk është nën menaxhim të Agjencionit të Memorialeve të Kosovës, Ministria e Kulturës në momentin e pranimit të informatës për largimin e tij, duke ditur rëndësinë dhe ndjeshmërinë që ka kjo ngjarje, ka dërguar në teren ekipin e agjencionit të memorialeve për të verifikuar gjendjen dhe shumë shpejt ata do të dalin me një raport. Instituti i Monumenteve të Kosovës, QRTK Gjakova dhe Agjencioni i Memorialeve do të bëjnë një vlerësim të ngjarjes dhe në përputhje me vlerat e trashëgimisë kulturore të ndërrmerren sa më parë hapat e mëtutjeshëm. Aktualisht Agjencioni tashmë kanë kërkuar nga organet kompetente masë sigurie sipas legjislacionit në fuqi deri në veprimet tjera”, ka thënë ajo.

Policia ka njoftuar se ka marrë informatë të enjten në mbrëmje për rastin e se janë hetuar disa persona. Ka bërë të ditur se është njoftuar prokurori kujdestar e se deri tash nuk është iniciuar rast.

“Mbrëmë rreth orës 19:40, pasi është pranuar informatë se guri që ishte i vendosur në përkujtim të Pashke Markut në fshatin Korenicë ishte zhvendosur, policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku është kuptuar se pronari i tokës kishte marr veprime që këtë gur ta largoj nga prona personale. Lidhur me rastin janë intervistuar disa persona (pronari i pronës ku ka qenë i vendosur guri dhe disa familjar të së ndjerës Pashke Marku). Palët nuk kanë deklaruar të kenë konflikt lidhur me këtë çështje. Lidhur me këtë ngjarje është njoftuar prokurori kujdestar, në konsultim më të cilin për momentin nuk është iniciuar rast”, thuhet në përgjigjen e Policisë në Gjakovë.

Pronari i tokës, që jeton jashtë vendit, nuk është lajmëruar në thirrjet në telefon.

Pashke Markut i ishin vrarë dy djem në fund të prillit të 1999-s. Trupat e tyre ishin gjetur në varreza masive nëpër Serbi. Më 27 maj 2003, Nana Pashke ia vuri flakën vetes pasi konsideronte se duhej të digjej edhe ajo.