Arbëri

Shtensionimi në veri dhe plani i sekuencimit diskutohen në Bruksel

Takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit do të zhvillohet të mërkurën, ku mes tjerash, do të diskutohen veprimet për shtensionimin e situatës në veri si dhe plani i sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit. Pavarësisht marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, kjo e fundit nuk ka treguar nëse edhe pala serbe ka ofruar garanci se do të angazhohet për konstruktivitet dhe nuk do të bëjë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në veri

Plani i sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit në Ohër, pritet të diskutohet në takimin e së mërkurës në Bruksel. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë folur edhe për veprimet në funksion të shtensionimit të situatës në veriun e populluar me shumicë serbe.

“Siç është theksuar në pikën 4 të dakordimit të Bratislavës, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Në vazhdimësi po dëshmojmë gatishmërinë tonë për deeskalim dhe fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe i zbatuar në plotni”, ka thënë për “Kohën”, Klisman Kadiu – këshilltar i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Pas marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Brukselit për hapat drejt përshkallëzimit të situatës, ka munguar një qëndrim nga pala serbe nëse do të tregohen konstruktiv në këtë proces. Kadiu ka thënë se Serbia duhet t’i ndalë veprimet destruktive në veri.

“I takon Serbisë të flasë për qëndrimet dhe sjelljen e saj lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, ne mendojmë se Serbia duhet të ndalojë qasjen e tyre destruktive dhe fushatën e intimidimit ndaj serbëve të Kosovës”, ka shtuar Kadiu.

Në zyrën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk kanë treguar nëse u janë dhënë garanci nga Serbia për shmangien e veprimeve që do të çonin sërish në bojkot të zgjedhjeve në veri.

Por Lajçaku të dielën mbrëma përmes rrjeteve sociale tregoi për veprimet e ndërmarra dhe ato që priten ditët në vijim sa i përket dialogut. Ai ka shkruar se ndihet mirë që me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ranë dakord për hapat drejt shtensionimit të raporteve me Serbinë.

“Nga Dubrovniku udhëtova për në Bratislavë, ku mbajta diskutime të rëndësishme bilaterale me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Biseda jonë u përqendrua në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e datës 3 qershor, dhe punën në drejtim të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut. Më vjen mirë që ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, ka shkruar Lajçaku.

I dërguari i BE-së, ka shkruar edhe për takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ku siç tha ai, u shkëmbyen mendime dhe u përgatit për takimin e ardhshëm në Bruksel.

Por sipas opozitës, situata në veri nuk pritet të ndryshojë as pas marrëveshjes së fundit.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë të hënën se në rrafshin e brendshëm Kosova nuk ka pasur asnjëherë më pak sovranitet.

“Në rrafshin e brendshëm Kosova nuk ka qenë kurrë me më pak sovranitet. Veriu i Kosovës është në duar të askujt, kemi dy kryetarë që janë të mbyllur tash e më shumë se një muaj dhe kemi një vend, një lokacion i cili nuk ka sundim të ligjit. Rreziku që po vjen është se ajo pjesë e vendit për shkak të mos veprimeve të qeverisë, mund të kthehet në një zonë me rezolutën 1244. Mosveprimi i Qeverisë dhe mungesa totale e strategjisë për atë pjesë është duke e trajtuar çështjen e Kosovës në formë eksperimentale”, ka deklaruar Tahiri.

Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit të hënën e kaluar, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me Lajçakun.

Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Pika e parë, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale, nisi së aplikuari javën e kaluar. Në këtë pikë thuhet po ashtu se “Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit”.

Kryeministri Albin Kurti në seancën e së enjtes të Kuvendit ka thënë se policia nuk është tërhequr nga veriu, por se 25 për qind e policëve janë tërhequr vetëm nga ndërtesat komunale. Sipas tij, në atë pjesë aktualisht janë të dislokuar mbi 800 policë, të cilët janë edhe nga komunitetet e tjera.

Edhe pika e dytë, ka nisur në javën e parë. Sipas ujdisë, Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës.

“Kosova shpreh përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në këtë pikë.

Ftesa e Bashkimit Evropian për kryenegociatorët në Bruksel, me synim finalizimin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjeve, është pika e cila parashihet të përmbushet brenda kësaj jave.

Shkaku i situatës në veri, Bashkimi Evropian i kishte vendosur edhe sanksione Kosovës. Por lidhur me to, nuk ka komentuar BE-ja e as emisari Lajçak në postimin e tij në “facebook”.

Sanksionet përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu, BE-ja i ka pezulluar edhe programet për Kosovën nga IPA 2024 si dhe nuk janë dorëzuar para bordit për shqyrtim më 29 dhe 30 qershor propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.