Arbëri

Nis dëshmia e Remit në Gjykatën Speciale

Ka nisur dëshmia e Rrustem Mustafës, i njohur si Remi, në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi në Gjykatën Speciale.

Remi pati dhënë dëshmi me shkrim më herët, por ajo u hodh poshtë nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.

Remi ka qenë komandant i UÇK-së në zonën operative të Llapit.

Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi janë duke u mbajtur në paraburgim prej 2 vjet e 7 muajsh. Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasjet, torturat dhe trajtimin mizor gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Në aktakuzën e konfirmuar në shkurt të 2023-tës, ata ngarkohen se kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e të ndaluarve nëpër qendra ndalimi në Kosovë dhe në Shqipëri. Aktakuza i përfshin mbi 400 viktima të mbajtjes në qendra ndalimi, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit ka nisur në fillim të prillit dhe i kanë mohuar akuzat, ndërsa mbrojtja e tyre, në shpalosjen e fjalës hyrëse, ka pretenduar se UÇK-ja nuk ka pasur organizim hierarkik të atillë që parashihte që anëtarët e Shtabit t’i kontrollonin zonat operative dhe komandat lokale.