Arbëri

“Tigri prej letre” nxit reagimet e emisarëve e të opozitës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në një panel me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut. Aty ajo ka shprehur qëndrimin se Bashkimi Evropian, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-n, është e paaftë që të garantojë siguri. E emisari Escobar i ka replikuar, ndërsa ka përfshirë Kosovën në mesin e tri shteteve të Ballkanit Perëndimor që kanë udhëheqësi që besojnë se popullizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rruga përpara

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka kontestuar të shtunën aftësinë e Bashkimit Evropian (BE) për të garantuar paqe pa mbështetjen nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Gjatë fjalimit të saj në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik”, që është organizuar në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, bashkë me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe atë evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Gërvalla i është referuar BE-së si “Tigër prej letre”.

“Pyetja kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”, ka thënë Gërvalla. “Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”.

Kryediplomatja e Kosovës ka theksuar se tani ka një qëndrim të ri të fuqive perëndimore, që ngjason me atë të viteve kur në Evropë ka pasur luftëra, përfshirë atë të fundit në Kosovë, teksa ka shtuar se Evropa nuk ka asnjë histori suksesi në tentimin për t’i parandaluar këto luftëra.

“Tani ka një qëndrim të ri të fuqive të Unionit Perëndimor, i cili është i ngjashëm me atë të viteve 2014, 1939, 1991, 1992, 1999, ku nuk ka asnjë histori suksesi të Evropës në përpjekjet për të parandaluar luftën. Ne kemi nevojë për një strategji të re dhe njerëz të rinj që përpiqen të gjejnë një mënyrë më të mirë. Ndryshe nga të tjerët, ne nuk po përpiqemi ta përdorim BE-në si arkë. Jemi më shumë për vlera evropiane sesa për para evropiane”, ka thënë ajo.

Kundërpërgjigjja e Escobarit

Qëndrimit të Gërvallës iu përgjigj me mospajtim emisari amerikan. Ai i kategorizoi në dy grupe shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosovën në listën e atyre me udhëheqje populliste. Në kuadër të “Forumit të Dubrovnikut”, Escobari ka ndarë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në dy “rrugë”. Sipas tij, në njërin shirit janë shtetet anëtare të NATO-s si stabile e kontribuuese në stabilitetin rajonal dhe të tjerat që përballen me sfida të veta.

“Rajoni është ndarë në dy shtigje, njëri me shtetet në NATO që janë shumë më stabile, kontribuuese në stabilitetin rajonal dhe të vendosura në rrugën drejt integrimit evropiane dhe tjetri që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e të tjerëve në rajon teksa ngecin me sfidat e veta”, ka thënë Escobar. “Dallimet kyçe janë që shtetet të cilat janë në NATO dhe që kanë pasur zhvillimet më të mëdha janë ato që kanë tejkaluar sfidat e rivaliteteve etnike. Dhe ato që vazhdojnë të kenë lidership që beson se popullizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rrugët përpara, janë ata që po shohin më shumë sfida”.

Ai i është përgjigjur edhe ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, që u shpreh se BE-ja pa SHBA-në dhe NATO-n është “tigër prej letre”. Sipas Escobarit, gjithçka pozitive që ka ndodhur në gjeneratën e fundit ka qenë nga bashkëpunimi amerikano-evropian.

“Paper Tiger” (tigër prej letre) është term që i referohet diçkaje ose dikujt që pretendon të jetë i fuqishëm ose kërcënues, e që në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës. Kjo shprehje u bë e njohur si slogan i përdorur nga Mao Ce Duni, ish-kryetar i Partisë Komuniste Kineze dhe udhëheqës kryesor i Kinës, kundër kundërshtarëve të tij politikë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara.

Vlerësimi i Lajçakut

E emisari evropian, Miroslav Lajçak, tek foli pas Gërvallës, e shprehu qëndrimin se Bashkimi Evropian është ëndërr për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Mund të them që BE-ja është larg të qenit e përkryer, por megjithëkëtë është më e mira që e kemi. Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka tjetër bashkësi të shteteve në këtë planet që ka sjellë stabilitet më të madh politik, prosporitet ekonomik, dhe respektim të të drejtave të njeriut”, ka thënë Lajçak. “Mendoj që anëtarësimi në BE është arritje e ëndrrave të vendeve, të cilat janë duke trokitur në ëndrrën evropiane”.

Ai ka theksuar se vendeve të Ballkanit Perëndimor u është dhënë premtimi tash e 20 vjet që do t’i bashkohen BE-së, por në këto dy dekada vetëm Kroacia ka arritur të hyjë në BE. Derisa ka folur për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, Lajçaku ka thënë se kjo sfidë ka ndikim në çdo shtet të rajonit.

“Më herët gjatë vitit, në shkurt dhe mars arritëm dy marrëveshje me rezultate të mëdha rrugës drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo na jep platformë të re dhe rrugë të qartë drejt normalizimit të raporteve me elemente shumë të qarta në të. Kam thënë se pas marsit, tani s’ka kthim prapa”, ka theksuar ai.

Kritika e opozitës

Forumi i Dubrovnikut është konferencë e përvitshme që mbledh ministra dhe figura të larta politike nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar çështjet aktuale në agjendën politike globale.

E epiteti që ministrja Gërvalla i dha BE-së gjatë fjalës së saj në këtë forum, ka nxitur reagimin edhe të opozitës në Kosovë.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike (PKD), Vlora Çitaku, e cila ka qenë ministre e Integrimit Evropian dhe ambasadore e Kosovës në SHBA, e ka kualifikuar të papërgjegjshme deklaratën.

“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të tria rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, ‘tigër prej letre’ i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ndërkaq, të mjerë dhe të rrezikshme e ka cilësuar gjendjen diplomatike të Kosovës, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike (LDK), Sibel Halimi.

“Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri – qëlloi të mbajë postin e kryediplomates – dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!?” ka shkruar Halimi në Facebook. “Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i japë siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!? E zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajçak e Escobar. I pari ia kujtoi kryediplomates kosovare se nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!) kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullizimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta. Escobar sikur i tha rrini ju në lloqin e rivaliteteve ballkanike!? E mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme”.

Retorika në raport me BE-në është sforcuar nga qeveritarët, prej kur në fund të muajit të shkuar, Brukseli njoftoi se ka vendosur disa masa të përkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që Qeveria nuk ndërmori hapat e kërkuar nga blloku evropian për shtensionim të situatës në veri. BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok – si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.

Në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, tensionet janë rritur që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë. Protestat e tyre u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, duke lënë me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të KFOR-it.

Pas situatës së krijuar, BE-ja i ka kërkuar Kosovës që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative. Por, Qeveria ka refuzuar t’i zbatojë.