Arbëri

VV: Nismat e opozitës më afër Serbisë e më larg popullit

Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sërish video në Facebook duke akuzuar opozitën se ka “nisma më afër Serbisë, e më larg popullit”.

Në video, Vetëvendosje i ka quajtur hajna e parti të vogla, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Opozita flet për izolimin e vendit, por nuk i del zëri për zgjedhjet e reja”, thuhet në fillim të videos.

Partia në pushtet ka akuzuar opozitën se po i mban të bllokuara 150 milionë euro duke mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend.

“Mirë që kjo opozitë nuk është në qeveri se do e dorëzonin vendin para Serbisë siç dëshmuan së fundi me kërkesën e tyre (të njëjtë me Serbinë) që të largohen kryetarët legjitim nga objektet komunale në pjesën veriore dhe të organizohen zgjedhje të reja”, thuhet në videon e Vetëvendosjes.

Retorika pushtet-opozitë është ashpërsuar ditëve të fundit, pas nisjes së mobilizimit opozitar me kërkesën për rrëzim të Qeverisë e “rrugë të re, pa Albin Kurtin”.

Ka disa javë, që AAK-ja ka iniciuar mocionin e mosbesimit, por nuk ka marrë mbështetje nga partitë tjera opozitare.

Të hënën, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, njoftoi se ka shkëputur raportet me kryeministrin e presidenten dhe kërkoi zgjedhje të reja.

LDK-ja ndërkohë ka paralajmëruar takime për “angazhim të përbashkët shoqëror, për rrugën e re”. AA

KOHA u ka dërguar pyetje tri partive opozitare, PDK, LDK, AAK. AAK-ja ka thënë se është e gatshme për zgjedhje. Ndërkaq LDK-ja ka thënë se partia në pushtet nuk ka arritur kurrë të zhvendoset nga selia e partisë në jetën reale.