Arbëri

Rama: Kosova mund të detyrohet të gëlltisë diçka të rëndë, nuk justifikohet sjellja e saj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova duhet të veprojë sa më shpejt që të rikthehet në tryezë me Serbinë, pasi siç ka thënë ai, ajo mund të detyrohet të “gëlltisë” diçka të rëndë me kalimin e kohës. 

Rama ka shtuar se Kosova është duke humbur kohë duke mos e pranuar planin franko-gjerman e se mundësitë e humbura për negociata, po çojnë në avantazh të Serbisë.

“Çdo orë që kalon, çdo ditë duke ardhur vërdallë, duke i bërë leksione Evropës, duke treguar se si Kosova po mbron vlera që Evropa me demek i paska harruar kur sheh Kosovën, është kohë e humbur që mund të çojë në tretjen si kripa në det të gjithë vullnetit të bashkësisë euroatlantike. Nesër mund të ndodhë që Kosova do të detyrohet të gëlltisë diçka të rëndë, ndërkohë që sot nuk e detyruar të gëlltisë diçka, por është e detyruar të punojë që Serbia ta gëlltisë atë që është vënë aty në tryezë për Kosovën”.

Ai ka shtuar se do të vazhdojë t’i bëjë thirrje Kurtit që të tërhiqet nga veprimet e tij.

“Të lutem Albin, të lutem kupto që je gabim, kupto që është koha për të përqafuar bashkësinë euroatlantike, për t’u ulur bashkë me bashkësinë euroatlantike dhe për ta marrë këtë fitore që ta kanë sjellë aty në tavoline dhe nuk po e sheh që e ke aty”.

Rama ka thënë se shqiptarët duhet ta çojnë përpara planin franko-gjerman dhe t’i japin zë. Sipas tij, Kosova ka mundësinë ta shfrytëzojë mundësitë që po i jepen për ta detyruar Serbinë ta pranojë këtë plan dhe t’i hapë vetes dyert drejt njohjes dhe të ardhmes.

“Kosova ka në tryezë ofertën më të mirë të mundshme për të ardhmen e saj. Ka në tryezë planin franko-gjerman, që është Kosova në radhë të parë dhe jemi ne shqiptarët të parët të interesuarit që duhet ta shtyjmë përpara deri në fund duke këmbëngulur për tryezën, duke këmbëngulur për të shfrytëzuar këtë potencial të madh, të aleancës dhe të miqësisë me bashkësinë euroatlantike për ta detyruar Serbinë që ta pranojë planin franko-gjerman, që do të thotë praktikisht hapja përfundimtare e rrugës së të ardhmes për një Kosovë të njohur nga të gjithë dhe të ulur në ulësen e vet në Kombet e Bashkuara. Nëse harrojmë këtë atëherë hyjmë në një pyll pa sëpatë kur i thonë dhe nuk kuptojmë më se për çfarë flasim”, ka thënë Rama në një intervistë për Euroneës.

Rama ka përsëritur qëndrimin e tij krahas bashkësisë euroatlantike lidhur me veriun e Kosovës.

“Qëndrimi im është i njëjtë me qëndrimin e bashkësisë euroatlantike, jo për servilizëm, por se është e qartë, ndërkohë që zhvillohet kjo furtunë brenda një gote që rrezikon të shpërthejë dhe ta nxjerri jashtë kontrolli situatën në veri të Kosovës, duhet kthyer tryeza. Më i interesuari për ta kthyer tryezën është populli shqiptar”.

Rama deklaroi se nuk arrin ta mirëkuptojë kryeministrin Albin Kurtin në situatën e krijuar me Kosovën në raport me ndërkombëtarët. Ai tha se plani franko-gjerman s’mund të qëndrojë aty për gjithë jetën dhe kryeministri i Kosovës nuk mund ta fitojë këtë betejë diplomatike vetëm si “Don Kishot”.

“Albini është një person të cilin unë e çmoj, një mik që e respektoj, por në këtë rast është kryeministri i Kosovës të cilin unë nuk e mirëkuptoj”, u shpreh Rama.

Sipas tij Kurti, qeveria e Kosovës, policia dhe gjithë autoritetet duhet të kapen fort për t’ia dalë që të hedhin hapin e madh të çlirimit përfundimtar nga hija e mosnjohjeve dhe t’ia dalin që mbi të gjitha të normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë.

“Pasi ka arritur në këtë pikë, pasi e ka futur Serbinë në një kuadrat të ngushtë, bashkësia euroatlantike nuk arrin dot as ta kuptojë, as ta justifikojë dhe as ta tolerojë sjelljen e autoriteteve të Kosovës dhe qasjen e kryeministrit, Albinit që është një sjellje sikur kjo tjetra të mos ekzistonte, sikur të ishim kushedi sa vite para dhe sikur gjithë ky proces të mos kishte ndodhur. Në ndërkohë kur ne kemi të gjithë bashkësinë euroatlantike të gatshme që ta shtrëngojë Serbinë, që të pranojë më në fund, në mos njohjen formale, të pranojë heqjen dorë de facto nga Kosova dhe hapjen e rrugës për njohjen e të gjithë të tjerëve që detyrimisht pastaj do të çojë në njohjen formale të Serbisë, është e pashpjegueshme se çfarë kërkojnë autoritetet e Kosovës që i kundërvihen këtij procesi”, ka thënë Rama.

I pyetur nëse ka komunikuar me presidentin serb dhe marrëdhënien e tij me të, pas ftohjes së raporteve me Kurtin, Rama është përgjigjur: “Albin Kurtin e kam mik, Hashim Thaçin e kam vëlla, të jemi të qartë. Ndërkohë kam kontaktuar me presidentin e Serbisë gjatë kohës që mbaheshin tre policët në Serbi”, duke shtuar se nuk do të komentojë më shumë mbi këtë.

Derisa ka folur për vizitën e ish-presidentit Bill Clinton në Tiranë, Rama ka përmendur se ka qenë kyç në çështjen e Kosovës gjatë luftës, por se tash nuk po e dëgjon.

“Dy baballarët e mëdhenj të asaj që ndodhi në Kosovë janë Bill Clinton dhe Tony Blair, por ka ardhur një moment që fëmija nuk po i dëgjon baballarët”.