Klan Kosova ka njoftuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka anuluar vendimin e një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion.
Sipas Klan Kosovës, në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së punon për Klan Kosova, por që televizioni ka thënë se ky fakt nuk qëndron.
Prestreshi është raportuar se është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.
Vendimi ka edhe këshillën juridike, në të cilën thuhet se “pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të Vendimit”.
{gallery}
Ndryshe, më 14 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Aty thuhej se MINT, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër, ka shkruar Betimi për Drejtësi.
Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari ka thënë se “Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë luftën speciale në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional Klan Kosova”.
Ka njoftuar se sot ARBK-ja ka anuluar vendimin për anulimin e vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova.
Vendimi sipas saj është politik, “duket si dokument i hetuesisë, ka bazë të gabuar ligjore, nuk ka arsyetim ligjor por vetëm politik dhe si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm”.
Ndërkaq Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se e ka pranuar me shqetësim të madh lajmin se më pak se 24 orë pas vendimit për anulimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, ARBK-ja, sot ka marrë një vendim për ta anuluar atë vendim, dhe për ta mbajtur në fuqi vendimin fillestar të datës 14 qershor.
“AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediat në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe mediave të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë. AGK-ja, bën thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Mediave”, thuhet në njoftim.