Arbëri

Ujërat industriale të “Ferronikelit” në lumin Drenica, banorët të frikësuar nga pasojat

Si pasojë e një avarie në kompleksin metalurgjik “Ferronikeli”, që ka ndodhur të dielën, sasi e konsiderueshme e ujërave industriale ka përfunduar në lumin Drenica. Gjurmët e mazutit janë vërejtur edhe një ditë më pas në brigje të lumit, me gjithë përpjekjen e punëtorëve të fabrikës për t’i fshehur ato. Në MMPHI-ja kanë thënë se kanë marrë mostra të ujit dhe do t’i presin rezultatet, ndërkohë që banorët kanë shprehur drojën për pasojat e mundshme në shëndetin e tyre

Vetëm pak ditë para se të rinisë punën fabrika “Ferronikel” në Drenas, lumit Drenica iu ndryshua ngjyra. Të dielën ky lumë është mbuluar nga shtresa të zeza të vajrave të shkarkuara nga fabrika dhe që kundërmonin rëndë. Gjurmët e kimikateve ishin prezente edhe një ditë më pas nëpër brigje të lumit, me gjithë përpjekjet e punëtorëve për t’i fshehur ato. Ata ishin të pranishëm aty kur ekipi i KOHËS po xhironte, por se nuk pranuan të xhirohen e as të flasin para kamerës. E banorët e kësaj ane ankohen për ndotjen e lumit nga fabrika, duke thënë se nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë.

Ajmane Smakiqi, banon me familje pranë vendit ku shkarkohen ujërat industriale nga “Ferronikeli”. Ajo ka treguar se për shkak të kundërmimit ka pasur probleme shëndetësore.

“Po, unë vetë në spital jam kanë shkaku i kësaj ere. Edhe kurrë nuk mundem me ecë, kam qejf me ecë ngapak, por nuk mundem me ecë për hak të erës. Shumë u nie edhe dje, edhe për atë dje në spital jam kanë shkaku i erës, se prej aromave nuk mundem hiç, edhe fëmija këtu ankohen”, ka thënë ajo.

Xhavit Drenori, kryetar i iniciativës qytetare “Green për Drenas” ka thënë se pas ankesave që kanë marrë nga qytetarët kanë vizituar vendin ku kanë parë derdhje të ujërave industriale nga gypat e fabrikës së “Ferronikelit”.

“Kemi inspektuar rrjedhën e lumit prej derdhjes së gypit deri tek ura e lagjes Bucolli në Poklek dhe kemi parë shenja jashtëzakonisht të shumta të derdhjeve të pakontrolluara të kimikateve ose pjesëve tjera të ndaluara me ligj që shkarkohen në lumë. Ne mbrëmje kemi bërë një reagim dhe i kemi shkruar Ministrisë së Mjedisit, zotëri Aliut dhe kemi kërkuar që në mënyrë urgjente të nxjerrë në terren inspektor, sepse gjendja ishte alarmante”, ka thënë Drenori.

Drenori ka kritikuar Qeverinë qendrore për mosmarrjen e masave në mbrojtje të mjedisit.

“Kemi pasur shpresë që ndërrohet mendësia në nivel nacional për mbrojtje të mjedisit, por këto pamje siç po e shihni me të vërtetë janë pak shpresë dhe me gjasë qytetarët do të mbesin peng i njerëzve që kanë fuqi politike për shkak të fuqisë financiare nga mbrapa”, ka theksuar ai.

E inspektori për mbrojtjen e ujërave në MMPHI, Elbasan Shala, ka bërë të ditur se pas marrjes së informatave inspektorët kanë dalë në terren së bashku me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës dhe kanë marrë mostra nga lumi atje.

“Mostrat e ujit do të dërgohen për analiza dhe në bazë të rezultateve do të veprojmë tutje”, ka thënë Shala.

Shkaku i këtyre shkarkimeve dëmet, sipas Xhavit Drenorit, kryetarit të iniciativës qytetare “Green për Drenas” janë të mëdha.

“Dëmet janë të jashtëzakonshme, jo vetëm për gjallesa në ujë, sepse ato nuk mund të mbijetojnë, për shkak të ujërave të zeza, për shkak se ka substanca kancerogjene, por ky kundërmim dhe ky dëm do t’u shkaktojë probleme edhe banorëve, sepse është kundërmim i madh. Dhe mos harro se këtu një pjesë e banorëve nuk kanë ujësjellës, dhe një pjesë e tyre e përdorin ujin për bagëti dhe ujitje, e më pas dëmet janë edhe në qumështin dhe produktet që bëhen nga këto bagëti”, ka thënë Drenori.

KOHA është njoftuar se kompania “Ferronikeli” e ka njoftuar Ministrinë për këtë çështje, duke thënë se shkaku i një avarie ka pasur rrjedhje të mazutit, i cili është shkarkuar në lumin Drenica dhe se punëtorët e kompanisë kanë punuar për të evituar këtë rrjedhje.

Përfaqësuesit e fabrikës nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS gjatë ditës së hënë, përkundër që kanë konfirmuar se i kanë pranuar ato.

E nga Komuna e Drenasit kanë thënë se me të marrë lajmin inspektoret e Mjedisit kanë dalë në vend të ngjarjes ku kanë marrë pamjet dhe kanë parë për së afërmi gjendjen e ndotjes.

“Ne kemi informuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, konkretisht inspektorin për mbrojtjen e ujërave dhe presim veprime konkrete nga ata në mënyrë që të konstatohet qartë së kush janë shkaktarët e ndotjes së ujit në Lumin Drenica. Drejtoria për Inspektorat në Komunën e Drenasit do të monitorojë gjendjen në vazhdimësi ndërsa përgjegjësia kryesore bie mbi MMPHI-në”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Për shkak të ndotjes së ambientit, kur përfshihet edhe ndotja e ujit, “Ferronikeli” ishte gjobitur dy herë, përkatësisht më 2009 dhe 2011, në vlerë 48 mijë euro. Kjo ndërmarrje me afro 900 të punësuar është privatizuar më 2006 dhe nga atëherë të paktën tri herë është stërshitur. Aktualisht menaxhohet nga Grupi Yildirim, një konglomerat ndërkombëtar me bazë në Turqi. Ndërmarrja prodhon mbi 6.000 tonë xehe në muaj dhe kontribuon me mbi 50% të eksportit të gjithmbarshëm të Kosovës.