21:13 - KFOR-i po përpiqet të marrë informacione nga Serbia për tre policët
KFOR-i ka thënë se është në kontakt me autoritetet e Serbisë që të marrë informacione se çfarë ka ndodhur me rastin e tre policëve të cilët dyshohet se u kidnapuan nga territori i Kosovës.
Në një komunikim për media, KFOR-i ka thënë se nuk është përfshirë në ngjarjen e sotme.
“KFOR nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme sa i përket tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe aktualisht është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar mbi atë çfarë ka ndodhur”.
20:36 - Kosova ndalon hyrjen e veturave me targa të Serbisë
19:49 - Sveçla: Policët s’e dimë ku janë, jemi në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se policët e kidnapuar nga Serbia nuk dihet ku po mbahen dhe janë nën arrestin e institucioneve serbe. Ai vizitoi lokacionin ku policët u rrëmbyen të mërkurën në Leposaviq, teksa tha se janë duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtarë që “ajo të jetë e qartë për këtë veprim kriminal”.
Sipas ministrit Sveçla, Serbia duhet t’i kthejë sa më shpejt zyrtarët policorë, së bashku me pajisjet e tyre private dhe zyrtare.
19:37 - BE-ja për kidnapimin e policëve: Jemi në kontakt me të dyja palët për të kuptuar se çka ka ndodhur
Bashkimi Evropian ka thënë se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, e gjithashtu edhe me KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth asaj se çfarë ka ndodhur të mërkurën në veri, ku janë kidnapuar tre zyrtarë policorë të Kosovës nga forcat serbe.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet që e tensionojnë edhe më shumë situatën në veri.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm”, ka thënë ai.
Forcat serbe kanë kidnapuar tre policë kosovarë brenda kufirit të Kosovës. Policia në ndërkohë ka shfaqur edhe një hartë nga vendi se ku dyshohet të jenë kidnapuar policët.
“Sot në mesditë në thellësi të territorit të Kosovës në zonën kufitare në veri dyshohet se njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitarë patrullues. Ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia e Kosovës thekson se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtar në pikë statike në vendin e quajtur Bare, në territorin e Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat zyrtare që të parandalojnë veprimet ilegale, grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët ilegale, të parandalojnë mallrat dhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka thënë zëdhënësi I Policisë, Baki Kelani, në një konferencë për media.
19:30 - Gërvalla: Vuçiqi do të përshkallëzojë tërë rajonin, të ndalet nga NATO-ja
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk do të ndalet së përshkallëzuari tërë rajonin, nëse këtë nuk e parandalon NATO-ja.
Ajo shkroi në Twitter të mërkurën se Vuçiq duhet t’i lirojë menjëherë policët e kidnapuar të mërkurën nga autoritetet serbe, duke shtuar se ky akt i agresionit “është provë e qartë e Perëndimit”.
19:14 - Të enjten mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës
Të enjten në mëngjes do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë nga Serbia, mëson KOHA.
Policia e Kosovës tha në një konferencë për media se forcat serbe kryen një kidnapim klasik ndaj pjesëtarëve të Policisë, në Leposaviq, në një zonë ku kryhet kontrabandë nga ana e Serbisë.
18:21 - Kidnapimi i policëve, KFOR-i thotë se s’është i përfshirë në këtë çështje
KFOR- ka mohuar se po qëndron në vendin e quajtur Bare në veri të Kosovës, aty ku tre policë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe.
“KFOR-i nuk është i përfshirë në këtë çështje”, i ka thënë misioni i NATO-s në Kosovë KOHËS.
17:59 - MPJD-ja kërkon të mos udhëtohet drejt Kosovës përmes Serbisë
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar nga ata që po udhëtojnë për në Kosovë, që mos të lëvizin përmes Serbisë.
MPJD-ja ka kërkuar që bashkëatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje, t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë.
“Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lutemi të ndiqni faqen e Policisë së Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.
17:56 - Konjufca kërkon reagimin ndërkombëtar: Serbia cenoi sovranitetin e sigurinë e Kosovës
Ai ka thënë se është akt i cenimit të sigurisë dhe sovranitetit nga Serbisa.
“Ky akt i cënimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cënimin e integritetit territorial të Kosovës”, ka shkruar ai.
17:42 - Sindikata e Policisë kërkon urgjentisht të lirohen policët e kidnapuar nga Serbia
Sindikata e Policisë së Kosovës tha se është e shqetësuar dhe e dënon rastin e kidnapinimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet serbe.
KOHA ka kontaktuar Ambasadën e SHBA-së në Kosovë dhe Bashkimin Evropian lidhur me situatën dhe jemi duke pritur përgjigje
17:23 - Abdixhiku për kidnapimin e policëve: Kërkojmë përgjegjësi politike nga Kurti
17:27 - Sveçla shkon në Jarinjë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkuar në pikën kufitare në Jarinjë, njoftoi RTK-ja të mërkurën.
Ai ka mbërritur atje, pasi tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe. Policia e Kosovës mbajti konferencë për media, ku dha detaje mbi rastin.
17:14 - PK: Kidnapime të tilla forcat serbe i përdorin për t’i mbrojtur kriminelët
Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme lidhur me dyshimet për kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe në territorin e Kosovës.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë, ka deklaruar se kidnapimet forcat serbe i kanë përdorur edhe në të kaluarën si metodë për mbrojtjen e kriminelëve.
“Një kidnapim i tillë nga forcat serbe që dëshirojnë ta mbajnë të destabilizuar Kosovën kishte ndodhur edhe më 2011 ku ishin kidnapuar dy zyrtarë. Kidnapime të tilla klasike forcat serbe po i përdorin që t’i mbrojnë kriminelët që kërkohen nga PK-ja”.
Kelani ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti, duke theksuar se policët po kryenin detyrat e veta.
“Sot në mesditë në thellësi të territorit të Kosovës në zonën kufitare në veri dyshohet se njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitarë patrullues. Ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia e Kosovës thekson se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtar në pikë statike në vendin e quajtur Bare, në territorin e Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat zyrtare që të parandalojnë veprimet ilegale, grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët ilegale, të parandalojnë mallrat dhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka thënë ai.
Policia në ndërkohë ka shfaqur edhe një hartë nga vendi se ku dyshohet të jenë kidnapuar policët.
Kelani ka shtuar se i kanë njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë duke u kërkuar që t’i bëhet presion Serbisë për lirimin e policëve.
“Fillimisht njësiti policor, prej 3 zyrtare, kanë parë që në atë zonë kanë lëvizur persona të dyshuar, të maskuar e të armatosur, e që dyshohen të kishin qenë forca të njësive speciale të Serbisë. Menjëherë njësitë policore me njësitë tjera kanë shkuar në asistencë në atë lokacion, ku me të arritur kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtar dhe jo zyrtarët. PK-ja përveç dërgimit të njësiteve, ka njoftuar të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, edhe KFOR-in që të bëhet presion që ata të lirohen sa më parë. Policët tanë janë policë patrullues., janë paqeruajtës, janë zyrtarë që zbatojnë ligjin, janë në shërbim të vendit, janë familjarë, prindër dhe presin që fëmijët të kthehen në shtëpi”.
17:13 - Osmani: Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën dhe gjithë rajonin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës, Serbia tregon se nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet, por për destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur të mërkurën është agresion nga ana e Serbisë.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar ajo.
Osmani ka shtuar se zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.
“Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”, ka shtuar ajo.
16:58 - Krasniqi: Rrëmbimi i policëve, shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se ajo që ka ndodhur të mërkurën është shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon. Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës.
Bislimi reagon pas kidnapimit të policëve të Kosovës
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se vrazhdësia me të cilën Serbia po i shkel marrëveshjet, është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit “për t’i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”.
Ai këtë deklarim e bëri në Facebook, derisa shpërndau postimin e kryeministrit Albin Kurti, që reagoi pasi tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, sipas autoriteteve, u kidnapuan në Leposaviq.
“Vrazhdësia me të cilën Serbia po shkel marrëveshjet është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit për t'i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”, shkroi Bislimi.
16:38 - Haxhiu: Faktori ndërkombëtar duhet të përgjigjet për provokimet e Serbisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve të kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës të mërkurën.
Haxhiu ka kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve për atë që e ka quajtur “provokim” të Serbisë me qëllimin për të destabilizuar situatën në veri të vendit.
“Zyrtarët policorë duhet të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe veprime të tilla agresive duhet të ndalojnë. Serbia kriminale ka kidnapuar tre pjesëtarë të Policisë së Republikës së Kosovës në Leposaviq. Për provokime të tilla, të organizuara nga Serbia me qëllimin për destabilizimin e situatës në veri, faktori ndërkombëtar duhet të përgjigjet”, ka shkruar ajo.
16:12 - Arsenijeviq tenton të fusë flamuj të komuniteteve në objektet qeveritare
Kryetari i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, ka tentuar që të vendosë sot flamuj të komuniteteve, në mesin e tyre edhe atë serb, në objektin e ish-Rilindjes, ku janë disa ministri. Një gjë të tillë e kanë penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Teksa ka shprehur kundërshtinë e tij, Arsenijeviq ka vënë theksin pikërisht te flamuri serb.
“Kur komuniteti shumicë shqiptare mundet, pse nuk mundemi edhe komunitetet e tjera. Nuk solla vetëm flamurin serb, simbolin e komunitetit serb, por edhe simbolet, siç mund të shihni e komuniteteve boshnjake, serbe, turke, rom. Këtu jetojnë edhe goranët, egjiptianët, ashkalinjtë dhe romët, nuk jemi vetëm ne serbët dhe shqiptarët, dhe le ta bëjmë të ditur....se 24 vjet më vonë, duhet të theksojmë se përveç komunitetit shumicë shqiptare, duhet t’i vendosin edhe komunitetet e tjera jo shumicë. Ne të gjithë kemi të drejta e njëjta, siç mund ta shihni”, ka deklaruar ai./KP
15:59 - Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia
Qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë mall nga Serbia nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë, ka mësuar KOHA.
Kjo ka ardhur pas kidnapimit të tre policëve kufitarë në veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përveç agresion ky është edhe synim për destabilizim.
Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla të cilët kanë kërkuar nga organet ndërkombëtare lirimin e menjëhershëm të tyre.
Policia e Kosovës do të mbajë konferencë për media në orën 17:00.
15:36 -Çitaku për kidnapimin e policëve: S’është vetëm agresion, është çmenduri
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka konsideruar si “çmenduri” kidnapimin e tre policëve kufitarë të Kosovës nga forcat serbe në veri.
Teksa ka postuar foton e policëve të kidnapuar, të publikuara nga mediat serbe, Çitaku ka thënë se ky nuk është vetëm një akt agresioni.
“Tre policë kosovarë janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Ky nuk është vetëm një akt agresioni. Kjo është çmendur”, ka shkruar ajo në Twitter.
14:47 - Sveçla: Serbia ka shkelur çdo parim ndërkombëtar, të lirohen policët e kidnapuar
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia brenda territorit të Kosovës i ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Kosovës.
Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë të Kosovës kanë qenë thellë brenda territorit të Kosovës, dhe se veprimi nga ana e Serbisë është shkelje e çdo marrëveshje e çdo parimi të normave ndërkombëtare.
“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare. Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtarë që ta rrisë presionin ndaj Serbisë që të lirojë policët kosovarë dhe po ashtu të ndalen provokimet.
“Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj. Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, ka shkruar Sveçla.
14:23 - Tre policë të Kosovës kidnapohen në veri nga forcat serbe
Tre policë të Kosovës dyshohet të jenë kidnapuar të mërkurën në mesditë nga forca serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.
Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.
“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe. Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në mediat në Serbi është raportuar më herët “për arrestim” të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Mediat në Serbi kanë publikuar fotografi për të cilat thonë se janë tre policët e Kosovës, që të mërkurën, sipas Policisë së Kosovës, janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të vendit.