Arbëri

Raportohet për anulimin e mbledhjes së dy qeverive shqiptare, ajo e Kosovës nuk di gjë

Mbledhja mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ishte planifikuar të mbahej të mërkurën në Gjakovë, është anuluar, sipas TopChannel. Por, të kontaktuar nga KOHA, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk ka informata për anulimin e kësaj ngjarje.

Qeveria e Kosovës para pak minutash madje e dërgoi agjendën për mbledhjen e nesërme të dy qeverive.

“Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sontëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe uvertyrë për mbledhjen e nesërme. Për anulimin po dëgjojmë tani nga ju”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë. 

Por, sipas mediave në Shqipëri, ajo është anuluar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar konferencë për shtyp për ora 19:30. Nuk dihet nëse ka lidhje me këtë vendim. 

Në këtë mbledhje ishte planifikuar takimi i kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dyja vendet, ku pritej të diskutoheshin që sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësi në përfitim për qytetarët.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që një kohë të gjatë kanë nisur ciklin e takimeve të herëpashershme.