Arbëri

Betejë e re për insulina mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe OSHP-së

qkuk

Foto - Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

“Lufta” mes Ministrisë së Shëndetësisë e Organit Shqyrtues të Prokurimit mund të vazhdojë. Kjo, për shkak që të premten Ministria e Shëndetësisë ka anuluar sërish tenderin për insulina, pas urdhëresës së OSHP-së që ky institucion ta bëjë një gjë të tillë. E në rast që kompanitë sërish ankohen, lënda prapë shkon për trajtim në “gjykatën e tenderëve”

Ministria e Shëndetësisë (MSH) sërish e ka anuluar tenderin për insulina, e i cili ka përplasur këtë institucion me Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që njihet si “gjykatë e tenderëve”.

Vendimi është marrë të premten e dokumenti është ngarkuar në e-prokurim.

Ky vendim është marrë pasi OSHP-ja e kishte urdhëruar Ministrinë e Shëndetësisë që ta vlerësojë këtë proces.

Ministria për të disatën herë e ka anuluar këtë aktivitet prokurimi, me arsyetimin që të gjithë ofertuesit janë të papërgjegjshëm e njëri nga ta as nuk ka Autorizim Marketing për këtë produkt.

Autorizim Marketingu është dokument që dëshmon cilësinë, efikasitetin e sigurinë e barit. Megjithatë, OSHP-ja disa herë radhazi i ka dhënë të drejtë kësaj kompanie në betejën e saj me Ministrinë e Shëndetësisë.

Në vendimin e datës 2 qershor komisioni vlerësues i këtij tenderi arsyetim kryesor e ka përdorur faktin që ky bar nuk është i regjistruar në Kosovë.

“Keni ofertuar me produkte të pa regjistruara – pa AM, ndërkohe që në të njëjtin aktivitet të prokurimit, për të njëjtat Lote ka pasur ofertë me produkte të regjistruara – me AM. Rëndësia e Autorizimit për Marketing është shumë e madhe, e rregulluar me legjislacionin përkatës të Republikës se Kosovës, sipas të cilit produktet përmes AKPPM-së regjistrohen në vendin tonë për qarkullim në tregun e Kosovës”, thuhet në vendimin e MSH-së, tashmë të publikuar.

Në këtë vendim, Ministria ka pranuar edhe gabimet e veta, gjatë këtij procesi.

Një nga to është që zyrtari adekuat nuk i ka kushtuar vëmendjen e mjaftueshme validitetit të ofertave, gjë që ka ndikuar në proces.

“Zyrtari i lëndës nuk i ka kushtuar vëmendje të duhur çështjes së vlefshmërisë së ofertave dhe si rrjedhojë ka pasur ndërprerje të validitetit”, thuhet në arsyetim. “Dosja e tenderit ka gabime të cilat nuk janë trajtuar në fazën para hapjes së ofertave dhe operatorët ekonomikë nuk kanë bërë pyetje sqaruese për korrigjimin e tyre në afatet e parapara ligjore në dosje të tenderit”.

Me nxjerrjen e vendimit për anulim të këtij tenderi, procesi sërish mund të kalojë në ciklin e njëjtë që ka kaluar tash e dy vjet. Pra kompanitë tashmë mund të ankohen në OSHP, OSHP-ja të caktojë ekspertin për këtë rast, të punohet ekspertiza e më pas të merret vendimi.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi se si Ministria ka refuzuar për afro dy vjet nënshkrimin e tenderit për insulina me arsyetimin se kompania fituese nuk ka garancitë e cilësisë për këtë produkt. OSHP-ja i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit.

Një ilaç që blihet në barnatore ose kontraktohet nëpërmjet tenderëve publikë, medoemos duhet të këtë Autorizim Marketing. Në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Mjekësore sqarohet se Autorizim Marketingu, krahas cilësisë, e garanton edhe sigurinë dhe efikasitetin e ilaçit.

“Autorizim për Marketing – Leje e dhënë nga AKPPM-ja për aprovimin e barit për treg, bazuar në plotësimin e kërkesave për kualitet, siguri dhe efikasitet për përdorim human në tretmanin terapeutik”, thotë ligji.

Por jo të gjitha barnat mund të kenë Autorizim Marketingu, jo për shkak të institucioneve në Kosovë, por për faktin që kompani të caktuara farmaceutike, si rrjedhojë e tregut jo të madh të pacientëve në Kosovë, nuk kanë interesim për t’i regjistruar barnat.

Për të gjitha ilaçet e paregjistruara, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë gjatë vitit 2014 një udhëzim administrativ që e lejon importin në sasi të kufizuara.

Për shkak të rrezikut që kompanitë ta keqpërdorin këtë Udhëzim v, Ministria, në fundin e vitit të kaluar e ndryshojë këtë dokument. Aktualisht është e kufizuar sasia e importit për produkte pa Autorizim Marketing. Kjo vlen veç për produkte që në Kosovë përdoren në sasi të vogël, e që nuk është ky rasti i insulinave.