20:51 - Protestuesit sulmojnë me vezë gazetarët në Leposaviq
Gazetarja e Kohës Valbona Bytyqi e cila po qëndron në Leposaviq ka njoftuar se protestuesit kanë nisur të gjuajnë me vezë gazetarët që janë duke raportuar nga vendi i ngjarjes.
Ndonëse disa herë u është bërë thirrje që ata të shpërndahen nga njësitet e KFOR-it që janë duke qëndruar para ndërtesës së kësaj komune, protesuesit kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë.
Bytyqi ka shtuar se vazhdimisht ka brohoritje nga protestuesit.
19:18 - Tensionet në Zveçan lënë disa të lënduar
Tensionet në komunën e Zveçanit kanë lënë disa të lënduar. Kështu ka raportuar gazetari i KOHËS, Fitim Gashi.
Gashi ka thënë se ka pasur përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it, ku janë hedhur gurë e gjësende të ndryshme nga protestuesit.
Ai tutje ka raportuar se një numër i konsiderueshëm i gazetarëve kanë mbetur të bllokuar në një lokal përreth dy orë.
Që të dalin nga atje, ai ka thënë se u ka ndihmuar pronari i lokalit.
19:11 - Nuk shpërndahen protestuesit në Leposaviq përkundër thirrjeve të KFOR-it
Përkundër thirrjeve të KFOR-it, protestuesit në Leposaviq nuk janë shpërndarë ende.
Me thirrje nacionaliste e fyerje ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve që po i përcjellin zhvillimet atje, po vazhdojnë të qëndrojnë protestuesit para ndërtesës së komunës së Leposaviqit.
Gazetarja e KOHËS, Valbona Bytyqi ka njoftuar se kryetari i kësaj komune e as deputeti Salih Zyba nuk kanë dalë ende nga objekti i komunës.
16:40 - Tensione në Zveçan, digjet një veturë e Policisë e dëgjohen të shtëna me armë
Në këto momente situata tek objekti i Komunës së Zveçanit është tensionuar.
Pjesëtarët e KFOR-it kanë kërkuar nga protestuesit të largohen nga dy autoblinda të Policisë së Kosovës, të cilat i kanë blookuar në mes të turmës, por ata kanë refuzuar.
Për t’i shpërndarë KFOR-i ka hedhur gaz lotsjellës dhe pas kësaj protestuesit kanë nisur të hedhin shok-bomba dhe shishe në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it.
Gazetari i KOHËS, Fitim Gashi ka thënë se gazetarët janë vendosur në një lokal pasi vazhdimisht ka gjuajtje me shok-bomba dhe mjete të forta në drejtim të KFOR-it nga ana e protestuesve.
Ai ka raportuar se është djegur një veturë e Policisë së Kosovës, e janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri të cilat nuk dihen se nga kanë ardhur.
Ndërkohë që disa nga ekipet e mediave që po raportojnë nga Zveçani janë bllokuar në një kafene.
KFOR-i ka krijuar një kordon në hyrje të komunës.
Në Zveçan është parë edhe një automjet i ambulancës pas sulmeve të protestuesve kundrejt ushtarëve të KFOR-it. Gjatë këtij konfrontimi, sipas pamjeve që janë shfaqur në media, disa pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar. Ata janë parë duke u tërhequr nga kolegët e tyre.
KOHA i ka dërguar pyetje KFOR-it lidhur me këtë dhe posa të marrë një përgjigje teksti do të përditësohet.
Pas këtij konfrontimi protestuesit janë larguar dhe po qëndrojnë më larg nga objekti i Komunës.
Ndërkohë që edhe protesta e serbëve para objektit të Komunës së Leposaviqit është duke vazhduar, edhe pse atje gjendja është më e qetë.
Protestuesit nuk u janë përgjigjur thirrjeve për të KFOR-it për t’u shpërndarë në mënyrë të qetë.
Gazetarja e KOHËS Valbona Bytyqi, ka thënë se protestuesit kanë reaguar ashpër duke u afruar edhe më afër kordonit të krijuar nga pjesëtarët e KFOR-it, duke brohoritur e duke i sharë ata dhe ekipet e mediave.
16:49 - Negociata të pasuksesshme mes serbëve dhe KFOR-it në Zveçan
Përfaqësuesve të serbëve u është propozuar që automjetet e KFOR-it përballë Komunës së Zveçanit të zëvendësohen me automjete të Policisë së Kosovës.
Negociatori i KFOR-it ka raportuar se kanë biseduar me kreun e Policisë së Kosovës dhe se ata kanë thënë se kanë urdhër që të mos tërhiqen dhe të qëndrojnë atje.
Serbët nuk u pajtuan me këtë.
Negociatori i KFOR-it tha se është shumë i shqetësuar për situatën, pasi sipas tij është dëmtuar një veturë e policisë dhe një veturë e KFOR-it, shkruan Kontakt Plus Mitrovica.
Ai ka pyetur edhe pse njerëzit mbajnë maska, ndërsa nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka shpjeguar se shkak për këtë është frika se policia mund t'i arrestojë nesër, siç ka ndodhur më parë.
KFOR-i ka thënë se do ta kuptojë si shenjë të vullnetit të mirë, nëse qytetarët tërhiqen për të humbur një veturë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, e cila do ta zëvendësojë veturën e KFOR-it.
Që nga mëngjesi i sotëm dy vetura të Policisë së Kosovës kanë bartur personelin e tyre, për të cilët edhe përfaqësuesi i KFOR-it ka kërkuar nga qytetarët e grumbulluar që t'i lënë të kalojnë për të hyrë në ndërtesën e komunës.
Negociatori i KFOR-it tha se nuk mund të ndikojnë në vendimin e qeverisë së Kosovës, që kryetarët e sapozgjedhur të vijnë në vendet e tyre të punës.
Ai shtoi se diskutimet po zhvillohen në nivelin më të lartë, se është në interes të KFOR-it që të mos ndodhin incidente, por që nuk mund të ndikojnë në veprimet dhe vendimet e Policisë së Kosovës.
Flamujt serbë në automjete dhe një trëndafil i hedhur, për negociatorin e KFOR-it, mund të jenë problematike për një rezultat pozitiv të negociatave të mëtejshme.
15:28 - Shpërndahen protestuesit në Zubin-Potok
Protestuesit në Zubin-Potok janë shpërndarë pas protestës mbi tetëorëshe që kishte filluar para 7 të mëngjesit.
Protestuesit kanë filluar të largohen nga objekti i Komunës së Zubin-Potokut, në të cilin ka prani të madhe të forcave të KFOR-it e po ashtu të Njësitit Special të Policisë së Kosovës. Ata paralajmëruan se do të mblidhen sërish të martën në të njëjtën orë.
Një numër i protestuesve janë mbledhur para objekteve të komunave të Zveçanit, Zubin-Potokut e Leposaviqit për të protestuar.
Në këto objekte komunale është shtuar prania e KFOR-it siç është shtuar edhe në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut.
14:54 - Lista Serbe në pritje të përgjgjes së KFOR-it
Lista Serbe tha se është duke pritur një përgjigje nga KFOR-i, në kërkesën e tyre që Njësia Speciale e Kosovës të largohet nga Komuna e Zveçanit.
KOHA mësoi se zyrtarët e partisë serbe ende janë në pritje të përgjigjes, derisa disa orë më parë pati një dialog mes zyrtarit të KFOR-it dhe Listës Serbe.
14:43 - NATO: Po punojmë në zbutjen e situatës në veri
Misioni i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se me stafin e tij po punon në zbutjen e situatës në veri, si dhe se është në kontakt me institucionet e Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë.
14:27 - Leposaviq, hidhen pelena në drejtim të ushtarëve të KFOR-i
Disa protestuese serbe kanë ardhur para Komunës së Leposaviqit me pelena në dorë, duke thënë se janë dhuratë për kryetarin e ri të Komunës.
Ato kanë insistuar të futen brenda Komunës apo të dërgohet dhurata, por përfaqësuesit e KFOR-it nuk e kanë pranuar këtë.
Më pas ato kanë gjuajtur pampersa në drejtim të ushtarëve të KFOR-it që po përkujdesen për sigurinë në Komunën e Leposaviqit.

Ndërkohë, veturat zyrtare janë qëlluar me vezë.
14:02 - Miloviq: "Komandanti i KFOR-it për veri do të vijë në Zveçan për të negociuar"
Ish-kryetari Zveçanit, Dragisha Miloviq, u ka thënë qytetarëve se "komandanti i KFOR-it që është përgjegjës për veri të Kosovës" së shpejti do të vijë të negociojë me serbët, ndërsa ai ka kërkuar “unitet dhe paqe”, raporton televizioni serb RTS.
Miloviq ka thënë se gjatë bisedës me përfaqësuesin e KFOR-it amerikan, ai u ka thënë që “qytetarët të presin rreth një orë” dhe se "komandanti i KFOR-it që është përgjegjës për veriun do të vijë të negociojë".
Para ndërtesës së Komunës së Zveçanit, turma e protesutesve serbë po këndon këngë nacionaliste.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq më herët u ka thënë KFOR-it amerikan që të largohen Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës dhe që kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave në veri të Kosovës të mos vijnë në objektet e komunës.
Kërkesa e KFOR-it është që të lejohen dy automjete të Policisë Speciale të Kosovës, që ndodhen në mes të turmës. Në autoblindja janë të bllokuar policët e Kosovës, ndërsa në to janë shënuar katër “C” dhe po ashtu është vendosur flamur i Serbisë.
12:56 - Policia e Kosovës dhe gazetarët brenda objektit të Komunës së Zveçanit
Policia e Kosovës ka vendosur të evakuojë gazetarët, duke i futur brenda objektit të Komunës së Zveçanit.
Situata në Zveçan është më e tensionuar. Para kësaj komune janë mbledhur një grumbull i qytetarëve, ndërsa është edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari Igor Simiq.
Ata i kanë bërë kërkesa KFOR-it, që e ka rrethuar perimetrin rreth Komunës, që të largohen veturat e Njësitit Special të Policisë së Kosovës.
Policia ka vlerësuar se gazetarët mund të jenë të rrezikuar dhe u ka thënë se mund të strehohen brenda Komunës.
Brenda objektit të Komunës gjenden edhe shumë pjesëtarë të Njësitit Special të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë kordoni mes turmës dhe Komunës është i përbërë nga ushtarët e KFOR-it.
Policë të Njësisë Speciale ka edhe brenda autoblindës që gjendet jashtë Komunës në mesin e turmës, Protestuesit po lëshojnë muzikë nacionaliste serbe.
Në Zveçan drejtuesi i KFOR-it ka biseduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarin Igor Simiq, ndërsa u ka kërkuar atyre që të lirohet rruga.
Veturës së mediumit nga Shqipëria, “TopChannel”, i është hequr targa dhe janë shkruar “C” serbe.

KFOR-i fton palët të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione
Misioni i KFOR-it në Kosovë u ka bërë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione ose shkaktojnë përshkallëzim të situatës.
Protestuesit para Komunës së Zveçanit, kanë vendosur flamur të Serbisë në një autoblindë të Njësitit Special të Policisë së Kosovës, ndërsa në një tjetër i kanë shkruar me sprej katër “C”.
Po ashtu është shkruar me sprej edhe në një autoblindë të KFOR-it.
Udhëheqësi i njësitit të KFOR-it që gjendet para Komunës së Zveçanit, është dakorduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, që të largohen dy autoblindat e njësitit special të Policisë. Por, protestuesit nuk po largohen për të liruar rrugën. Negociatat janë duke vazhduar.
Rakiq ka thënë se qytetarët do të mbesin në atë vend derisa Njësiti Special i Policisë të largohet dhe kryetari i ri Izmir Zeqiri të mos lejohet të futet në objektin e Komunës së Zveçanit.

Kosovapressi raportoi se simbole ruse janë vendosur nga protestuesit edhe në veturat e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.

Policia: Protestuesit shfaqën dhunë, situata nën kontroll
Policia e Kosovës njoftoi se po e menaxhon situatën e krijuar nga protestat e serbëve në veri, ndërsa tha se protestuesit kanë shfaqur dhunë.
Para pak minutash në veri është ndezur edhe alarmi.


Kryetarët e komunave veriore takohen me ambasadorin Hovenier në orën 09:00
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, do t’i takojë kryetarët e komunave të veriut në orën 09:00. Kështu i tha KOHËS kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.
Dy krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Sllavko Simiq kanë shtruar dy kërkesa për largimin e protestuesve nga objekti i Komunës së Zveçanit, ku janë mbledhur për të protestuar.
Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me largimin e Policisë së Kosovës nga kjo zonë dhe me dorëheqjen e kryetarit të ri të zgjedhur nga zgjedhjet e 23-prillit.
Këto kërkesa janë shtruar në takimin e tyre të mbajtur me një ushtarak të KFOR-it, që përfaqësoi këtë palë në diskutim.
Nga ana tjetër, ky ushtarak KFOR ka njoftuar se një kordon i kësaj force po qëndron në këtë zonë, teksa ka paralajmëruar se nëse rrezikohen trupat e forcës do të intervenohet.
“Kjo është objekti i Komunës, objekt i qytetarëve, ku punojnë familjet tona dhe do të qëndrojmë këtu. Ata që janë të padëshiruar duhet të largohen. Nëse doni të largoheni, do të krijojmë hapësirë të largoheni”, u ka thënë presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, përfaqësuesve të KFOR-it.
Policia hedh gaz lotsjellës në Zveçan
Një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut.
Janë vendosur edhe rrethoja me tela përgjatë perimetrit të objekteve të komunës. Ndërsa një numër i qytetarëve ka filluar të grumbullohet.
Për të hënën janë paralajmëruar protesta në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicës e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok.
Përfaqësuesit e Listës Serbe biseduan me pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Ata u kërkuan ta lirojnë Komunën e Leposaviqit në mënyrë që “punonjësit të kthehen në komuna”.
E pjesëtarë të Listës Serbe biseduan me ushtar të KFOR-it. Njëri ushtar ia ktheu “s’jam këtu për intervistë” dhe e ftoi brenda nëse do të bisedojë.
E në Zubin-Potok shtatë autoblinda të KFOR-it kanë ardhur para objektit të Komunës. Disa pjesëtarë të KFOR-it janë futur brenda objektit.
E Policia e Kosovës raportohet se ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të turmës së grumbulluar para Komunën e Zveçanit.
Te intervenimi i Policisë ka ardhur pasi një numër i qytetarëve janë lejuar të tuboheshin para ndërtesës së Komunës nga ushtarët e KFOR-it.
{gallery}