Arbëri

Pas raportimit të KOHËS, Prokuroria Speciale tërhiqet nga hetimi për insulina

Tërheqja nga hetimi ka ndodhur tri ditë pasi që KOHA raportoi se me hetimet ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë rreth mosnënshkrimit të tenderit për furnizim me insulina pa posedimin e certifikatës që e dëshmon cilësinë dhe sigurinë e barit, krahas Speciales, është duke u marrë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prokuroria Speciale është tërhequr të premten nga hetimi i zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë rreth mosnënshkrimit të tenderit për furnizim me insulina pa posedimin e certifikatës që e dëshmon cilësinë dhe sigurinë e barit, vetëm tri ditë pasi që KOHA raportoi se me këtë rast, krahas Speciales, është duke u marrë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Tërheqjen nga hetimet e ka konfirmuar për KOHËN zëvendëskryeprokurori special, Valdet Gashi.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë çështje ka pranuar kallëzim penal nga njëra nga kompanitë pjesëmarrëse në këtë proces, mirëpo pasi që jemi informuar se ky rast penal është duke u hetuar për një kohë të gjatë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me qëllim të efikasitet dhe eliminimit të hetimit të dyfishtë, rastin nga PSRK e kemi deleguar në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për hetim të mëtejshëm”, ka thënë Gashi.

Ani se nga Prokuroria Speciale kanë deklaruar që nuk kanë qenë në dijeni për hetimin e së njëjtës natyrë edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, burime të KOHËS kanë bërë të ditur se ka qenë vetë Specialja që gjatë vitit të shkuar e pati deleguar këtë rast te Prokuroria e Prishtinës.

KOHA i ka adresuar pyetje Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me rastin, porse nuk ka marrë përgjigje nga kjo instancë.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë për më se dy vjet kanë refuzuar që ta nënshkruajnë tenderin me vlerë prej disa miliona eurosh për insulina, duke pretenduar se kompania fituese nuk e posedon Autorizim Marketingun, dokument ky që garanton kualitetin, cilësinë dhe sigurinë e barnave.

Ky rast deri më tash ka kaluar nëpër duar të katër prokurorëve.

Bazuar në informatat që i posedon KOHA, rasti fillimisht është trajtuar nga prokurori special me inicialet A.B. Ky prokuror pati marrë vendim që të pezullojë hetimin, shkaku që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ende nuk ka vendosur lidhur me rastin.

Ani se hetimi ishte i pezulluar, burimet kanë treguar se hetues policorë, në komunikim me kryeprokurorin Blerim Isufaj kishin ndërmarrë veprime hetimore.

Një nga veprimet ishte kërkimi i një opinioni nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) në rast se Ministria e Shëndetësisë po bënte shkelje me kontraktime emergjente të insulinave, ndërsa nuk po e nënshkruante tenderin e rregullt.

Opinioni i këtij institucioni kishte shkelje. KOHA ka dërguar pyetje për këtë çështje në KRPP, por askush në këtë instancë nuk ka dhënë përgjigje.

Pas pranimit të këtij opinioni, Prokuroria Speciale, nga e cila pretendohet se nuk ka qenë në dijeni se rasti po hetohej, informatat për trajtim të mëtejshëm i ka deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndërsa rasti po trajtohej nga prokuroi B.Z.

Disa ditë më parë Prokuroria Speciale ka iniciuar përsëri hetime, kësaj radhe rasti i është ndarë prokurorit R.H., i cili sipas burimeve të KOHËS, pasi e kuptoi historinë e trajtimit të rastit, ka kërkuar që të largohej nga hetimi.

Me gjithë urdhëresat e OSHP-së dhe hetimeve të Prokurorisë së Shtetit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe sekretari i kësaj ministrie, Naim Bardiqi, kanë thënë të mërkurën se nuk do të vënë nënshkrimet në kontratat me kompanitë, të cilat nuk posedojnë Autorizim Marketing për barna.

“Atë që e kam thënë me parë nuk e ndryshoj as sot. Unë jam këtu ministër i Shëndetësisë për të garantuar mbarëvajtjet e proceseve, ligjshmërinë e proceseve, por mbi të gjitha për të garantuar cilësinë e barnave dhe materialeve që përdorin pacientët dhe qytetarët tanë. Dhe kjo cilësi siç e kemi thënë disa herë sigurohet vetëm me Autorizim Marketingu apo me regjistrimin e barnave në Republikën e Kosovës”, ka thënë Vitia të mërkurën.

Tenderi ishte hapur në vitin 2020, gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit, kur ministër i Shëndetësisë ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm Ardian Mehmetaj. Në të patën aplikuar dy kompani dhe ajo që ishte zgjedhur fituese para më shumë se dy vjetësh nuk e kishte certifikatën e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit.

E Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit. Në rastin më të fundit, të premten e javës së shkuar OSHP-ja pas orarit të punës i ka dërguar urdhëresë Ministrisë së Shëndetësisë që të procedojë me këtë tender. Për këtë, OSHP-ja i dha Ministrisë pesë ditë afat, i cili përfundoi të mërkurën.

Që prej viti 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketingu.

Siç ka mësuar KOHA, kompania që po synon këtë tender as nuk ka aplikuar për dokument të tillë në Agjencinë e Barnave.