Arbëri

Kurteshi: Për keqardhje, kërcënimi i serbëve nga Qeveria e Serbisë

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se serbët në veri kanë bojkotuar zgjedhjet e sotme për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë nga Qeveria e Serbisë, Lista Serbe dhe bandave kriminimale të udhëhequra prej tyre.

Kurteshi ka thënë se një gjë e tillë është për keqardhje, pasi sipas tij, në këto zgjedhje po mungon legjitimiteti demografik.

“Qytetarët serbë për arsye të ndryshme, që ne nuk i dimë të gjitha, i bojkotojnë votimet. E bojkotojnë një të drejtë të tyre që e kanë garantuar me Kushtetutë. Ne nuk i dimë arsyet, munden me qenë kërcënime, shantazhe, dhunë të drejtpërdrejtë, ka prej tyre që e kanë edhe bindje. Ndikimi i drejtpërdrejt i qeverisë serbe, Listës Serbe dhe bandave të ndryshme kanë bërë që qytetarët serbë ta bojkotojnë, të hezitojnë të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre. Kjo është për keqardhje sepse legjitimiteti demografik i zgjedhjeve mungon”, ka thënë Kurteshi në kTV.

Por ai ka deklaruar se këto zgjedhje në aspektin juridik dhe kushtetues janë legjitime.

“Ne si KQZ i kemi ofruar gjitha mundësitë, kushtet sa më të mira të votimit në këto rrethana. Edhe institucionet e sigurisë kanë bërë përpjekje që t’i ikin çfarëdo shkaktimi të ndonjë incidenti”, ka thënë ai.

Kurteshi ka theksuar se shkaku kryesor pse serbët nuk kanë dalë në zgjedhje është politik. Politika e Serbisë, sipas Kurteshi, ka ndikim të jashtëzakonshëm te serbët që jetojnë në Kosovë.

“Shkaku kryesor është politik pse nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën për votën. Ndikimi është i jashtëzakonshëm prej politikës serbe. Kërcënimi dhe shantazhi është aq i madh, saqë njerëzit nuk guxojnë të deklarohen për këtë çështje. Serbët kanë qenë nën trysni të tmerrshme nga bandat kriminale, të udhëhequra drejtpërdrejt ose jo, nga Lista Serbe dhe Qeveria e Serbisë”, ka shtuar Kurteshi.

Ai ka thënë se gjatë vizitave që i kanë bërë disa prej qendrave të vendvotimeve nuk kanë vërejtur ndonjë shkas për incidente.