Kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, u përcoll nga Policia e Kosovës në vendvotimin e saj të dielën, e aktualisht pranë shtëpisë po i qëndron edhe një njësit i Njësisë Speciale.
Pantoviq është ndër kandidatet e para që shkoi për të votuar mëngjesin e së dielës, derisa gazetarja e KOHËS, Sanie Jusufi, bëri me dije se ajo është njëra nga dy votuesit që kanë votuar deri në orën 12:00 në qendrën e votimit në Zveçan, afër Zheronicës.


Pas votimit, në një deklaratë për media, ajo ka thënë se ka ardhur koha për ndryshime pas qeverisjes 10-vjeçare të Listës Serbe në këtë komunë.
“Po pres për qytetarët e Zveçanit se do të jetë më mirë se sa që ka qenë deri më tani, që zgjedhjet do të mbahen të qeta, në mënyrë të qetë dhe pa incidente, sepse mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, tha ajo”, ka thënë ajo, raportoi KSP-ja.
Ajo është shprehur optimiste se edhe serbët do të dalin në votime.
“Kjo është disi një rregulli im, kush do të dalë, unë mendoj që populli do të dalë, do t’iu ngjallet ndjenja. Kush del e falënderoj kush nuk del po njësoj. Çfarë të them ne këtë situatë, e cila është specifike nuk kam koment, mendoj nuk mund të them përafërsisht sa votues pres që do të dalin, apo diçka po, në çdo rast shpresoj se do të ketë”, tha ajo.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00, në zgjedhje kanë marrë pjesë 313 qytetarë apo 0.69 për qind. KQZ-ja iu bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar. Autoritetet e rendit kanë thënë se deri në këto momente s’është regjistruar asnjë incident.