Arbëri

Në veri votuan 1567 qytetarë

19:30 - Vetëm 3.47 për qind e 45 mijë e 95 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut votuan 837 qytetarë apo 4.62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në Leposaviq votuan 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5.78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2.92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, ka thënë në konferencën për media se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka ofruar mundësinë dhe kushtet të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.

Ai ka konfirmuar se ka nisur numërimi i votave e se rezultatet pritet të dalin pas orës 20:00.

Image

Në orën 19:00 ka përfunduar afati për votim në katër komunat e veriut të Kosovës. Të gjitha vendvotimet tashmë janë mbyllur, ndërsa ka filluar numërimi i votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që rreth orës 19:30 të dalë me të dhënat zyrtare për pjesëmarrje në votim. Procesi është përcjellë me dalje të ulët të votuesve.


17:41 - Kurteshi: Për keqardhje, kërcënimi i serbëve nga Qeveria e Serbisë

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se serbët në veri kanë bojkotuar zgjedhjet e sotme për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë nga Qeveria e Serbisë, Lista Serbe dhe bandave kriminimale të udhëhequra prej tyre.


17:23 - “Më shumë staf e policë sesa votues”

Arianit Elshani, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është shprehur i zhgënjyer me numrin e ulët të votuesve në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se shifrat tregojnë “mjerisht, që më shumë ka staf e policë sesa që ka votues”.


17:18 - Sveçla: Nga aspekti i sigurisë dhe ligjor të suksesshme, nga ai politik jo mirë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme të sotme në veri nga aspekti i sigurisë dhe ligjor mund të konsiderohen të suksesshme. Por, nga aspekti politik, ai ka thënë se është për keqardhje që qytetarët serbë të Kosovës kanë qenë shënjestër e presionit të jashtëzakonshëm të Beogradit dhe strukturave kriminale.


15:37 - Zgjedhjet në veri, deri në orën 15:00 dalja rreth 2.4 për qind

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri në orën 15:00, procesi zgjedhor ka vijuar pa ndonjë pengesë.

Ai ka njoftuar se pjesëmarrja në zgjedhje është rreth 2.4 për qind në të katër komunat veriore ku po mbahen zgjedhjet.


14:29 - Asnjë votë në tri qendra në Zubin-Potok

Në tri nga katër qendra votimi në Zubin-Potok, s'ka votuar asnjë qytetarë. Gazetari i KOHËS, Ardit Kika, njoftoi nga kjo komunë se në këto kontejnerë kanë të drejtë vote gjithsej 6.661 votues, ndërsa nuk ka shkuar asnjë për të marrë pjesë.

13:34 - Kandidatja e PDK-së dhe ai i Vetëvendosjes votojnë në Leposaviq

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës në Leposaviq, Albulena Behluli-Hetemi, ka votuar sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në shkollën “Kadri Bistrica” në Bistricvë.

Edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Leposaviq, Lulzim Hetemi, ka votuar në këto zgjedhje lokale.

Hetemi ka votuar në qendrën e votimit 1206B.


12:53 - Njesia Speciale e Policisë po e ruan shtëpinë e kandidates serbe për kryetare të Zveçanit

Kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, u përcoll nga Policia e Kosovës në vendvotimin e saj të dielën, e aktualisht pranë shtëpisë po i qëndron edhe një njësit i Njësisë Speciale.


11:38 - 313 qytetarë votuan në veri deri në orën 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi të dhënat e daljes në zgjedhje në komunat veriore deri në orën 11:00.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, njoftoi se në Leposaviq nga ora 07:00 deri në 11:00 kanë dalë për të votuar 28 qytetarë apo 0.21 për qind. Në Zubin-Potok kanë dalë 65 votues apo 1 për qind, në Zveçan 29 votues apo 0.41 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut 191 votues 1.05 për qind.


11:37 - Sveçla: Veriu i qetë, s’ka tendencë për eskalim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se situata në veri është e qetë dhe procesi zgjedhor po vazhdon pa incidente.

Ai deklaroi për RTK-në të dielën se këto zgjedhje janë më ndryshe në aspektin e sigurisë pasi Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë më të angazhuara.


11:02 - Prokuroria e Shtetit: Prokurorët me Policinë në gjendje gatishmërie që të reagojnë për çdo rast

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se është duke mbikëqyrur procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës për kryetarë të tyre, duke bërë të ditur se prokurorët bashkë me Policinë janë të angazhuar në stacione policore atje, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit.


Fluks më i madh i votuesve në Suhodoll

Në qendrën e votimit në Suhodoll pas orës 10:00 është parë një fluks më i madh i qytetarëve që kanë dalë për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Në fshatin që është i banuar kryesisht me shqiptarë, deri më tani kanë votuar rreth 40 qytetarë.


10:09 - Radoniqi: Procesi i votimit po shkon mbarë, siguria në nivel

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi i votimit në komunat veriore po shkon mbarë dhe siguria është në nivel. Ai deklaroi para mediave nga Lagjja e Boshnjakëve se KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha masat e mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.

Ndër të tjera, menaxheri i qendrës së votimit 1201B në Leposaviq, Enver Haxhiu, ka njoftuar se procesi zgjedhor deri më tani është në rregull.

“Përgatitjet janë bërë në kohë, gjithçka në rregull. Kanë filluar të vijnë votues. Gjithçka është në rregull, besoj që do të ketë edhe gjatë ditës”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ka ambient frike, ai ka thënë se për ta nuk është, ndërsa për votuesit po.

Nga terreni KOHA mësoi se në qendrën e votimit 1212b në Leposaviq, nga 5.054 qytetarë sa kanë të drejtë vote, nuk ka votuar askush deri në orën 09:00. Ndërsa, në qendrën 1201b në këtë komunë kanë të drejtë 4.983 qytetarë me të drejtë vote, kanë marrë pjesë vetëm 4 votues.


09:23 - Voton Osmani: Shpresoj të formohen shpejt institucionet

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së veriut, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, ka votuar në shkollën fillore “Aziz Sylejmani”.

Në një deklarim të shkurtër për media, ai ka thënë se shpreson që të formohen sa më shpejt institucionet.


08:52 - Votimi te “Molla e Vogël” në Zubin-Potok


Në Zubin-Potok, në pikën ku njihet si “Molla e Vogël”, ende s’ka votuar asnjë qytetarë, derisa atje gjithçka është përgatitur me material zgjedhor.

Gazetari i KOHËS, Ardit Kika, njoftoi direkt se kjo ka qenë pika e fundit që është furnizuar me material shpenzues, e vonesat sipas tij janë kryer për shkaqe sigurie.


08:34 - Voton Pantoviq: Është koha për ndryshime pas qeverisjes 10-vjeçare të Listës Serbe

Kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, votoi pak minuta pas orës 8 në njërën nga qendrat e votimit në këtë komunë.

Pas votimit, në një deklaratë për media, ajo ka thënë se ka ardhur koha për ndryshime pas qeverisjes 10-vjeçare të Listës Serbe në këtë komunë.

“Po pres për qytetarët e Zveqanit se do të jetë më mirë se sa që ka qenë deri më tani, që zgjedhjet do të mbahen të qeta, në mënyrë të qetë dhe pa incidente, sepse mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, tha ajo”, ka thënë ajo, raportoi KSP-ja.

Ajo është shprehur optimiste se edhe serbët do të dalin në votime.


08:20 - Për 1 orë vetëm 4 votues në qendrën më të madhe në Mitrovicën e Veriut

Vetëm katër qytetarë kanë votuar deri më tani në vendvotimin më të madh në Mitrovicën e Veriut, në pikën “3 Soliterat”, nga 8.700 qytetarë me të drejtë vote.

Gazetarja e KOHËS, Sanie Jusufi, njoftoi se qendra alternative është hapur me kohë dhe është pajisur me material shpenzues.

Në qendrën e votimit në Kodrën e Minatorëve deri rreth orës 09:30 të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar vetëm 9 votues nga mbi 500 votues të regjistruar në këtë qendër.

Në këtë qendër ekipit të Kohës i është lejuar që të futet brenda dhe të marrë pamje, vetëm se është kërkuar që paraprakisht të merret leje prej atyre që ishin duke votuar, nëse pranojnë që t’i kap kamera


08: 02 - Policia e Kosovës: Ka mjaftueshëm policë në veri

Policia e Kosovës tha se plani operativ për zgjedhjet në veri po zbatohet konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për qytetarët.

Në komunikatën dërguar mediave mëngjesin e së dielës, Policia tha se për këtë proces janë angazhuar numër i mjaftueshëm i policëve, derisa synim tha se mbetet realizimi i detyrave në mënyrë profesionale.

Autoritetet policore iu bënë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet për raportimin e çdo rasti të kundërligjshëm.

“Synimi i PK-së si çdo herë mbetet, që përmes realizimit të detyrave në mënyrë profesionale të garantojë ushtrimin e lirë të së drejtës së votës, të ndërmarrë veprime parandaluese ndaj dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend. Po ashtu vazhdojmë të inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, raportime këto të cilat do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, thuhet në njoftimin e Policisë.



​Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

Në veri të Mitrovicës ashtu siç është paraparë, të gjitha pesë qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Janë 18 mijë e 118 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në qendrat e Mitrovicës së Veriut.

Image
Image
Image

Situata aktuale është e qetë dhe gjithçka po shkon sipas planit të paraparë, ndërsa vërehet numër jo i madh i qytetarëve, sidomos në zonat e banuara me serbë, të cilët kanë dalë në mëngjes për ta ushtruar detyrën e tyre të votës.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është se po mbahen për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në përjashtim të një kandidateje të pavarur, dhe nga gjithsej 19 qendra, 6 janë të rregullta dhe 13 alternative.

Në katër komunat veriore janë gjithsej 19 qendra të votimit me 34 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se në orën 08:00 do të mbajë konferencë për media për hapjen e Qendrave të Votimit në veri./ksp