Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvendin e Kosovës, pas pesë muajsh mungesë.
Të enjten ata kanë zënë ulëset e tyre në Kuvend.
Rikthimi i tyre është përcjellë edhe me debat mes deputetësh. Ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, që iu drejtua deputetit të regjistruar si i pavarur, Adem Hoxha me akuza se në Kuvend vjen “veç për para”. Po ashtu Abazi i është drejtuar Hoxhës edhe me fjalët se “a po doni t’ia shtini flakën naj kerri”.

Deputetët e rinj të Listës Serbe ishin betuar në mes të nëntorit, para se 9 të kaluarit të dorëhiqeshin, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai mungon 6 muaj rresht në seancat e Kuvendit.
Konjufca: Ajo që bëri Lista Serbe e papërgjegjshme, do të kërkoj të ju hiqen mëditjet
Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. “Ajo që bëri sot Lista Serbe është sjellja me e papërgjegjshme në Kuvendin e Kosovës. Qëndruan më pak se 10 minuta dhe dolën nga seanca. Më e pakta që mund të veproj sot është që të kërkoj nga Administrata që të privohen nga mëditjet e sotme”, ka theksuar Konjufca.
Për këtë ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka komentuar rikthimin e deputetëve të Listës Serbe. Ai ka thënë se ata janë kthyer sa për ta siguruar mandatin.
“Po besoj do të ishte e rëndësishme të qëndronin këtu ta dëgjonin gjendjen atje me djegien e veturave torturimin e qytetarëve, linçimin e tyre.. dallimi është se Qeveria po e mbron qytetarin serb në veri të vendit më shumë se përfaqësuesit e tyre serbë në Kuvend. Po besoj që këtë duhet ta ketë parasysh bashkësia ndërkombëtare sepse kërkesat e Listës Serbe nuk janë edhe kërkesa të qytetarëve serbë në veri”, ka thënë Basha.