Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se marrëveshja e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, bie në kundërshtim me të gjitha kushtet e vendosura nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani dhe se, sipas tij, për këtë duhen zgjedhje të reja.
Ai ka thënë në Facebook të enjten se duhet mandat i ri bazuar në këtë marrëveshje, derisa ka shtuar se duhet dalë para qytetarëve “me qëndrimet e reja të Qeverisë”.
LEXO EDHE: "A paska Asociacion?"
Ish-kryeministri Hoti ka deklaruar se Kurti e Osmani kanë hyrë në kontratë me qytetarët më 14 shkurt me 7 kushte.
“1. Nuk ka Zajednicë dhe asociacion, siç thoshin ‘as asi, e as ksi’. 2. Nuk ka dialog pa kërkim falje. 3. Nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve. 4. Rishikim/vlerësim i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. 5. Dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke. 6. Reciprocitet me Serbinë në çdo gjë, që vendoset brenda javësh pas formimit të Qeverisë. 7. Të njëjtat të drejta për shqiptarët në Luginën e Preshevës sikurse për serbët në Kosovë”, ka shkruar ai.
Sipas Hotit, qytetarët janë mashtruar.
“Marrëveshja e Ohrit bie në kundërshtim me të gjitha këto kushte. Njerëzit janë mashtruar. Duhet mandat i ri bazuar në këtë marrëveshje. Duhet të dalin edhe njëherë para qytetarëve me qëndrimet e reja të qeverisë”, ka thënë Hoti.