Arbëri

Hasani: Po shkohet drejt një autonomie territoriale

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Enver Hasani, ka thënë se Marrëveshja Bazë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe aneksi i implementimit janë shumë të qarta.

Ai thotë se nuk ka rëndësi se çfarë thonë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, apo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit.

“Do të ishte e mira që aneksi të ishte më i qartë, do të ishte më mirë për palën tonë. Aty thuhet se trupi evropian dot ë formohet për përcjelljen dhe realizimin e mbikëqyrjes”, ka thënë Hasani.

Ai në “Interaktiv” të KTV-së ka folur për nenin 7 të Marrëveshjes Bazë ku flitet për një nivel të “vetëmenaxhimit” për komunitetin serb në Kosovë.

Hasani ka thënë se kjo nënkupto autonomi territoriale dhe se ajo fjalë “vetëmenaxhim” vetëm është vendosur për “t’u kujdesur për fytyrën e palës kosovare”.

“Nuk ka fare rëndësi më çfarë thuhet. Quaje si të duash, siç e kanë quajtur ata për t’u kujdesur për fytyrën e njërës prej palëve në dialog, sigurisht palës kosovare. Ajo për çfarë bëhet fjalë këtu, është autonomi territoriale”, ka thënë Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. “Është thënë nga përfaqësuesit e SHBA-së dhe të BE-së në mënyrë të koncentruar. Autonomi territoriale sipas standardeve evropiane. Vetë prezenca e përfaqësuesit italian tregon se synohet ekspertiza e italianëve për Tirolin Jugor”, ka thënë Hasani.

Hasani ka thënë se marrëveshja, ndonëse nuk është nënshkruar, do të prodhojë pasoja juridike për vendet respektive, varësisht nga detyrimet.