Në spitalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në baza ditore, që nga gushti testohen 100-150 persona të personelit të FSK-së të dyshimtë me COVID-19, ndërsa mostrat e tyre dërgohen për analizë në laboratorin i cili gjendet po në këtë qendër.
Nga testimi i më shumë se 3 mijë mostrave, përmes një analize të bërë në këtë qendër, rezulton se afërsisht 37% e pjesëtarëve të FSK-së kanë krijuar antitrupa.
“Jemi duke i nxjerrë statistikat për të gjithë pjesëtarët e FSK-së që kanë antitrupa dhe që kanë imunitet, që kanë imunoglobulinën në COVID-19 sipas grupmoshave, gjinive dhe grupeve të gjakut, d.m.th. po i bëjmë hulumtimet dhe do t’i kemi të dhënat ditëve në vijim”, ka thënë Shkëlzen Sylaj, drejtori i Qendrës Mjekësore në FSK, raporton KOHA.
Ndërsa aktualisht, sipas drejtorit të spitalit, Shkelzen Sylaj, vetëm 9 pjesëtarë të FSK-së janë pozitivë me COVID-19.
“Ne në fakt, deri më tani, kemi pasur që nga muaji prill në tërë FSK-në 966 pjesëtarë në vetizolim, nga të cilët me RT-PCR kanë rezultuar 121 pozitivë. Aktualisht i kemi 18 pjesëtarë në vetizolim dhe 9 pozitivë. Të gjithë janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre dhe të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore”, ka shtuar ai.
Por, përveç analizave për COVID-19, në spitalin e FSK-së jepen edhe shërbime të tjera specialistike, ndërsa pjesëtarëve të forcës u kryhen analiza në baza të rregullta
“Ne bëjmë ekzaminime sistematike në bazë të grupmoshave. Në ekzaminimet sistematike hyjnë komplet analizat, komplet ekzaminimet për secilin pjesëtar të FSK-së. Përveç tyre bëjmë edhe ekzaminime të tjera shtesë nëse kërkohet me protokolle të caktuara, p.sh. para testeve fizike apo trajnimeve të tjera që kërkojnë ngarkesë të shtuar fizike”, ka thënë Adem Preteni, komandant i regjimentit të mjekësisë në QMF-në e FSK-së.
Në këtë spital, për trajtim fillestar, por edhe për trajtim të pacientëve me COVID-19, janë të vendosur 60 shtretër.