Arbëri

Avokati i familjes Dehari i kërkon Abazit t’i dërgojë provat në Prokurori

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, i ka kërkuar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, që t’i dërgojë në Prokurorinë Speciale të gjitha provat që ai ka, pas deklarimeve për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Gashi tutje ka bërë të ditur se ka paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale për marrjen në pyetje të Abazit në cilësinë e dëshmitarit.

“Haki Abazi e ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe e ka obligim ligjor që të dëshmojë dhe t’i dorëzojë të gjitha provat që ai pretendon se i ka në Prokurori e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes së mostrave biologjike dhe të gjakut të Astritit. Ato janë zhdukur nga IML-ja në Prishtinë e që për zhdukjen e tyre është bërë e ditur para dy muajve. Askush nuk mund të intervistohet para se të intervistohet Abazi”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Abazi të enjten ka akuzuar rëndë partinë e tij, pasi ka thënë se ekzistojnë video-incizime ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari. E për këto pretendime, Abazi do të intervistohet nga Prokuroria. Por deputeti i VV-së ka thënë se deri tash nuk është ftuar.

Abazi thotë se ekzistojnë video që tregojnë “kush i zhduki mostrat e rastit Dehari”

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.

Haxhiu: Abazi ta njoftojë Prokurorinë, të mos fshihet prapa imunitetit prej deputeti

Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit. U pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Por Abazi pretendon se IML-ja është nën vëzhgim të kamerave 24 orë, dhe sipas tij, dihet qartë se kush ka hyrë brenda frigoriferit për t’i nxjerr mostrat.